“Xhamia po aktualizohet nga Shpend Ahmeti për vota nga islami politik”

“Xhamia po aktualizohet nga Shpend Ahmeti për vota nga islami politik”

Kryetari i degës së PDK-së në Prishtinë, njëherësh asamblisti i kësaj partie, Lirak Çelaj, ka thënë se, në bazë të informacioneve, leja për ndërtimin e xhamisë së madhe në Prishtinë është dhënë nga komuna.

“Neve njëherë na është thënë se vendimi për ndërtimin e xhamisë është marrë”, ka thënë Çelaj. Në mbledhjen e asamblesë komunale që është caktuar për 25 korrik, Çelaj thotë t’i ketë thënë nënkryetari Dardan Sejdiu se aty do të jepen informata rreth ndërtimit të xhamisë dhe nuk është përmendur dhënia e lejes.

“Nuk kemi pasur ndonjë informatë zyrtare. Na është thënë se në mbledhjen e radhës më 25 do të ketë informata rreth ndërtimit të xhamisë”, ka shtuar më tej Çelaj gjatë një interviste për Telegrafin.

Çelaj nuk e kupton se si u ngjall tash debati rreth ndërtimit të xhamisë në Prishtinë, për të cilën ai kishte menduar se tashmë është çështje e kryer.

“Tani se si u ngjall debati na bën të dyshojmë. Tash nuk e di qëllimin se a donë të ndërtohet apo jo”, ka shtuar ai.

Por Çelaj e ka një dyshim rreth këtij debati. Sipas tij, përafrimi i Vetëvendosjes me ‘islamin politik’ po bëhet vetëm për vota. Megjithatë, ai nuk beson se kjo xhami do të nisë së ndërtuari në kohën e kryetarit Shpend Ahmeti.

“Unë dyshoj se në mandatin e Ahmetit do të fillojë nderimin i xhamisë. Mendoj se ai tash po e aktualizon këtë çështje, sepse përafrimi i Vetëvendosjes me islamin politik po bëhet për vota”, ka thënë kryetari i PDK-së për Prishtinë, Lirak Çelaj.

Atij nuk i ka pëlqyer debati krahasues i ndërtimit të xhamisë dhe ndërtimin e katedrales, duke thënë se xhamia ka qenë kërkesë e kamotshme dhe duhet të ndërtohet.

“Politizimi i kësaj çështjeje është rreziku me i madh i vendit. Nëse tash bëhen krahasime me Katedralen, atëherë kjo është e rrezikshme”, ka thënë ai.

Megjithatë, Çelaj ka thënë se qëndrimi i tij dhe i partisë është që ajo të ndërtohet.

“Qëndrimi yt dhe i partisë është që të ndërtohet, është kërkesë e kamotshme. E kemi përkrahë këtë që qytetarët të kenë objektet e kulteve”, për thënë ndër tjera Çelaj.

Për më tepër, një grup i shoqërisë civile ka nisur një peticion kundër ndërtimit të xhamisë në Prishtinë në modelin aktual.

Bashkësia Islame e Kosovës ka kërkuar që xhamia të ndërtohet në projektin që është paraparë dhe zgjedhur me konkurs, duke e quajtur peticionin si tendencioz.

Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut ka thënë se peticioni i nisur nuk ka asnjë bazë ligjore e as morale.

Ndaj KMDLNj-së kishte reaguar organizatori i peticionit, duke thënë se po i keqinformon qytetarët.

I të njëjtit mendim ka qenë edhe profesori i shkencave ismale, Xhabir Hamiti.

 

 

/Insajderi.com