Profesori i Studimeve Islame: Peticioni kundër ndërtimit të xhamisë i pa bazë

Profesori i Studimeve Islame: Peticioni kundër ndërtimit të xhamisë i pa bazë

Profesori në Fakultetin e Studimeve Islame, Xhabir Hamiti, është deklaruar në lidhje me debatin e fundit rreth ndërtimit të xhamisë në Prishtinë.

Ai ka thënë se ndërtimit i kësaj xhamie është nevojë e komunitetit mysliman në kryeqytet. Madje sipas tij, këtë askush nuk duhet ta kontestojë.

“Peticioni kundër, është një hap i cili nuk ka asnjë arsye dhe argument të bazuar. Është e kuptueshme se, përzgjedhjet arkitekturale nuk janë gjithmonë të pëlqyera nga të gjithë, e as që shikohen me shijen e njëjtë. Lulet, jo të gjithë i shohim dhe i përjetojmë njëjtë”, ka thënë Hamiti, përcjell Koha.net.

Ai ka thënë se xhamitë, si edhe faltoret tjera, nuk bën të ndërtohen për inati të askujt, por të shihen si plotësim i kërkesave të besimtarëve, të cilët i takojnë një kulti të caktuar fetar.

“Unë, nuk arrij të kuptoj këtë zhurmë të panevojshme sot. Nëse plotësimi i kushteve urbanistike është arritur në plotni, pse të ketë peticion?! As organet komunale, e as BIK nuk janë mbi qytetarët, por në shërbim të tyre. Nuk është e nevojshme që publikun ta ngarkojmë me një çështje, e cila është detyrë e këtyre dy institucioneve zyrtare”, ka thënë tutje Hamiti.

“Prandaj, të plotësohet ajo që nuk është plotësuar në këtë drejtim, nëse veç nuk është plotësuar deri më tani nga të dy palët, e të ecet përpara me realizimin e projektit në fjalë”, ka shtuar ai.