BIK e quan “tendencioz” peticionin për rishikimin e projektit për xhaminë

BIK e quan “tendencioz” peticionin për rishikimin e projektit për xhaminë

Zëdhënësi i Bashkësisë Islame të Kosovës, Ahmet Sadriu, ka thënë se ky institucion pret që në këtë mbledhje të ketë një debat konstruktiv dhe të dihet epilogu i stërzgjatur për ndërtimin e xhamisë.

Ai ka bërë të ditur se për Xhaminë e Madhe ditë më parë ka pasur një takim të kreut të Prishtinës dhe kreut të BIK-ut, raporton KTV.

“Pasoi edhe një takim me kryetarin e komunës, që ishte këtu në selinë tonë dhe gjithashtu është biseduar rreth kësaj çështje, rreth fillimit të punës së xhamisë dhe nga ai takim, kryetari i Kuvendit Komunal i tha myftiut se do ta thërrasë Asamblenë komunale që do të mbahet me datë 21, që i bie të premten që vjen dhe do të debatohet rreth fillimit të punës së ndërtimit të xhamisë qendrore këtu në Prishtinë. Ne po presim deri ditën e premte dhe epilogun se si do të përfundon kjo. Ne shpresoj shumë se aty do të debatohet në mënyrë konstruktive dhe do të mbizotërojë arsyeja”, ka thënë Ahmet Sadriu, zëdhënës i BIK-ut.

Ai ka ka shtuar se Bashkësia Islame e Kosovës nuk ka pranuar kurrfarë peticioni lidhur me rishikimin e projektit të Xhamisë së Madhe në Dardani.

Por, edhe sikur të kishte, zëdhënësi i BIK-ut e quan pretendim tendencioz ngase procedurat për ndërtimin e xhamisë, sipas tij, kanë qenë legjitime dhe transparente.