Kërcënimi publik i Shalës që po shqetëson organizatat ndërkombëtare

Insajderi

Insajderi Eros Klaiqi

05.03.2017 16:08

Me vonesë, por jo të butë me Shalën u treguan organizatat ndërkombëtare të medieve. Diku rreth një muaj më vonë, erdhën reagimet e ashpra të Federatës Ervropiane të Gazetarëve (EFJ) dhe Organizatës së Medieve të Evropës Juglindore (SEEMO).

Kërcënimi publik i Shalës që po shqetëson organizatat ndërkombëtare

Mentor Shala është vërshuar nga reagimet kundrejt tij, kur i quajti “bakterie të politikës” sindikalistët e RTK-së. Drejtori i Përgjithshëm i transmetuesit publik është vërshuar nga reagimet e organizatave ndërkombëtare të medieve, pas sulmit verbal ndaj punëtorëve të Sindikatës së RTK-së.

Ai ofendoi sindikalistët, duke thënë se pa RTK-në, ata “as qentë nuk i hajnë”.

“Nuk po i kuptoj disa ‘bakterie’ të RTK-së të cilët pa RTK-në as qentë nuk i hajnë, se si e harxhojnë tërë energjinë për me shkatërru RTK-në dhe atë duke kërkuar ndihmë nga politika”, kishte thënë Shala, më 7 shkurt, duke sulmuar verbalisht sindikalistët.

Drejtori i Transmetuesit Publik të Kosovës cilësoi se Sindikata e Punëtorëve të RTK-së po bën përpjekje për ta shkatërruar RTK-në, përmes ndihmesës së politikës.

“Në kohën kur definimi me ligj i çështjes së financimit dhe pronës së RTK-së është para përfundimit, janë intensifikuar përpjekjet e disa transmetuesve konkurrent dhe disa partive politike duke i aktivizuar ‘bakteriet’ e tyre në RTK që me çdo kusht ta ndalojnë miratimin e këtij ligji”, kishte thënë Shala.

shal

Me vonesë, por jo të butë me Shalën u treguan organizatat ndërkombëtare të medieve. Diku rreth një muaj më vonë, erdhën reagimet e ashpra të Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ) dhe Organizatës së Medieve të Evropës Juglindore (SEEMO).

Të dyja këto organizata shprehën shqetësim për veprimet e Shalës. I cilësuan të papranueshme sulmet e tij ndaj sindikalistëve të RTK-së.

EFJ vuri në pah se kjo nuk është hera e parë që drejtori i RTK-së bën komente kundërshtuese, raporton Insajderi.

“Ky nuk është komenti i parë kundërshtues i bërë nga Mentor Shala: më parë ai nxiti kritika nga 60 gazetarë dhe redaktorë në RTK, kur i quajti aktivistë politikë. Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, degë e Federatës Evropiane të Gazetarëve, ishte thellësisht i shqetësuar nga komenti dhe e quajti postimin e Shalës ‘fyerje dhe kërcënim ndaj punëtorëve të këtij mediumi publik’”, thuhej në reagimin e Federatës Evropiante të Gazetarëve, të publikuar të shtunën e 4 marsit.

Pas këtij reagimi, të dielën erdhi edhe një reagim tjetër. Kësaj radhe nga Organizata e Medieve të Evropës Juglindore (SEEMO), e cila deklaroi se brenda RTK-së janë shkaktuar trazira, pas sulmeve të Shalës kundrejt sindikalistëve.

“Trazirat janë duke vazhduar me menaxhmentin e RTK -së për më shumë se një vit. Sindikata e RTK-së ka qenë disa herë dhe kohët e fundit nën sulm nga Drejtori i Përgjithshëm”, thuhet në reagimin e SEEMO-s.

“Po ashtu mediumi është kritikuar së fundi, pasi ka treguar joprofesionalizëm të thellë në raportim duke shkelur standardet etike”, thuhet më tej aty.

SEEMO thotë se “është e shqetësuar edhe për mungesën e transparencës në hartimin e ndryshimeve në Ligjin për RTK-në, si edhe në miratimin pa diskutim publik të projekt-ndryshimeve nga Komisioni parlamentar për medie”.

Shala, nuk ka reaguar që atëherë, edhe pas reagimeve të EFJ-së e SEEMO-s. Por, për t’i kundërshtuar deklaratat e këtyre dy organizatave, ka reaguar kryeredaktori i RTK 3, Ridvan Berisha.

Berisha i cilësoi të rrejshme deklaratat e SEEMO-s, duke thënë se brenda RTK-së nuk ka trazira.

Reagon Ridvan Berisha: SEEMO po gënjen, nuk ka trazira në RTK

“Nuk është e vërtetë që ka trazira, në trazira e ambicie janë disa zëra të vogël te cilët betejën po e bëjnë edhe me dreqin për t’i etabluar interesat e veta”, ka shkruar Berisha sot në profilin e tij në Facebook.

SEEMO është rrjet i redaktorëve, drejtuesve të medias dhe gazetarëve në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Puna e saj për lirinë e shtypit mbështetet nga Qendra Evropiane për Lirinë e Medieve dhe të Shtypit (ECPMF), si pjesë e një granti nga Komisioni Evropian.

Ndërsa, EFJ është organizata më e madhe e gazetarëve në Evropë, përfaqëson mbi 320 mijë gazetarë, në 71 organizata të gazetarëve, nëpër 43 shtete. /Insajderi.com