SEEMO e shqetësuar për ‘sulmet’ e menaxhmentit ndaj sindikatës së RTK-së

05.03.2017 14:56
SEEMO e shqetësuar për ‘sulmet’ e menaxhmentit ndaj sindikatës së RTK-së

Organizata e Medieve e Evropës Juglindore (SEEMO) ka shprehur shqetësim të thellë për gjendjen aktuale në transmetuesin publik të Kosovës, Radio Televizionin e Kosovës (RTK).

“Trazirat janë duke vazhduar me menaxhmentin e RTK -së për më shumë se një vit. Sindikata e RTK-së ka qenë disa herë dhe kohët e fundit nën sulm nga Drejtori i Përgjithshëm”, thuhet në reagimin e SEEMO-s.

“Po ashtu mediumi është kritikuar së fundi, pasi ka treguar joprofesionalizëm të thellë në raportim duke shkelur standardet etike”, thuhet më tej aty.

SEEMO thotë se “është e shqetësuar edhe për mungesën e transparencës në hartimin e ndryshimeve në Ligjin për RTK-në, si edhe në miratimin pa diskutim publik të projekt-ndryshimeve nga Komisioni parlamentar për medie”.

“SEEMO i bën thirrje Kuvendit që të lejojë publikun e interesuar dhe organizatat profesionale të gazetarëve, grupet dhe Sindikatën e RTK-së për të marrë pjesë në debatin për amendamentet”, vazhdon reagimi.

Për më tepër, SEEMO është rrjet i redaktorëve, drejtuesve të medias dhe gazetarëve në Evropën Juglindore dhe Qendrore. Puna e saj për lirinë e shtypit mbështetet nga Qendra Evropiane për Lirinë e Medieve dhe të Shtypit (ECPMF), si pjesë e një granti nga Komisioni Evropian./Insajderi.com