“Java e gruas” hapet nga njeriu që kishte fyer gratë

“Java e gruas” hapet nga njeriu që kishte fyer gratë

Aktivitetet e “Javës së gruas 2018” janë paraparë të nisin nga Kuvendi i Kosovës – aty ku shpesh janë fyer gratë. Ndaj tyre janë përdorur fjalë fyese dhe denigruese. Po ashtu, njerëz të politikës të cilët sot janë pjesë e Kuvendit, nuk kanë hezituar t’i fyejnë gratë edhe jashtë Kuvendit.

Në tetor të vitit 2015 deputetja e Vetëvendosjes Albulena Haxhiu pati një konflikt verbal me kreu e Kuvendit Kadri Veseli.

Në lëmshin që po zihej në sallën e Kuvendit dhe nën tymin e gazit lotsjellës, deputetja Haxhiu e quajti Veselin kriminel. Ky i fundit reagoi me shpejtësi, dhe nuk hezitoi të përdorte fjalë fyese ndaj saj. “Ma hongsh”, ishte reagimi i Veselit me mikrofon hapur. Reagoi shpejt dhe e ndali mikrofonin.

Është pikërisht Kadri Veseli i cili sot do ta bëjë hapjen e “Javës së gruas 2018”.

“Ngjarja fillon prej orës 11:00 ku hapjen do ta bëjë kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe drejtori i NDI-së në Kosovë, Alexander Chavarria”, thuhet në paralajmërimin e ngjarjes së sotme.

Por nuk është i vetmi rast që gratë politikane janë fyer nga njerëzit e politikës.

Në fund të dhjetorit të vitit të kaluar, ish-Avokati i Popullit të Kosovës tash deputet i Lëvizjes Vetëvendosje Sami Kurteshi, e pati quajtur Ministren e Drejtësisë, Dhurata Hoxhën një “lopë” dhe një “hienë që kultivon kurvëri politike”.

Gjuhë fyese ndaj grave gjithashtu pati përdorur edhe kryeministri Isa Mustafa kur në Facebook pati shkruar se “janë disa gra që i kanë kullotë të gjitha fondet e mundshme nga perëndimi”.

Në janar të vitit të kaluar ishte mbajtur marsh protestues kundër këtyre fyerjeve.

Igballe Rogova nga Rrjeti i Grupit të Grave të Kosovës kishte bërë thirrje për ndalimin e gjuhës seksiste kundër grave.

“Vitin e kaluar, ka nisur një gjuhë seksiste ndaj grave. U themi të gjithëve ‘stop’, mjaft më me atë gjuhë”, kishte thënë Rugova.

Për më tepër, “Java e Gruas” është ngjarje kombëtare që mbledhë 130 pjesëmarrës në baza ndërpartiake dhe ndëretnike, përfshirë përfaqësues të shoqërisë civile dhe medias si dhe nga akademia.

Java e Gruas synon të bëjë bashkë gra dhe burra nga Kosova për të diskutuar çështjet me rëndësi për qytetarët, duke ofruar mundësi rrjetëzimi si dhe të zhvillojë më tutje shkathtësitë e tyre si liderë të ardhshëm./Insajderi.com

https://www.youtube.com/watch?v=YIHRq9d5ipA