Artisti që ngujoi lopët në emër të një ekspozite: Unë jam vegjetarian

Artisti që ngujoi lopët në emër të një ekspozite: Unë jam vegjetarian

Artisti Sislej Xhafa nuk doli në konferencën për shtyp të organizuar nga Galeria Kombëtare e Kosovës të martën, për të folur rreth mbylljes së tetë lopëve në një ahur të improvizuar në emër të ekspozitës së tij të titulluar: “Të dua pa e ditur”.

Mirëpo, gjatë konferencës në të cilën folën drejtoresha e Galerisë Kombëtare Arta Agani dhe pronari i lopëve Arben Avdiu, u përfshi edhe Xhafa përmes një mesayhi telefonik – të cilin e përcolli për mediat drejtoresha e galerisë.

Deklarata e Sislej Xhafës, të cilën e kumtoi gjatë konferencës Arta Agani, ishte plotësisht e ndryshme nga ajo çfarë artisti deklaroi para pesë ditësh për Insajderin.

“Unë jam vegjetarian. Ju dua pa e ditur”, thuhej në mesazhin e Xhafës, të cilin e lexoi Agani.

Galeria arsyeton mbylljen e 8 lopëve të ekspozitës – kritikon organizatorët e protestës

Mirëpo vetëm pesë ditë më parë, në një prononcim për Insajderin, Xhafa nuk e kishte përmendur faktin që është vegjetarian. Madje, e kishte quajtur “të ulët” nivelin e aktivistëve për të drejtat e kafshëve, të cilët reaguan në mbrojtje të lopëve që janë ngujuar prej 19 ditësh.

Xhafa kishte thënë se nuk merret me “llafe të kafeve” teka i ishte referuar zërave të aktivistëve.

“Me thashetheme nuk merrem. Nëse e përqafon etikën profesionale hulumtoni ma shumë. Bisedat jo konstruktive, të kafeve dhe të ulta… nuk kam kohë”, kishte shkruar Xhafa, në një përgjigje që i kishte dhënë Insajderit përmes adresës elektronike.

Kundër këtij instalacioni të Xhafës ditë më parë reagoi edhe akademik Mehmet Kraja. Sipas shkrimtarit të njohur, vepra e Xhafës “8 lopë Kosove” që është si instilacion i ekspozitës “Të dua pa e ditur”, është një gërryerje e buxhetit të varfër të Kosovës.

Krejt kjo ekspozitë e Sislej Xhafës shtetit i ka kushtuar afro 40 mijë euro. Sipas Ministrisë së Kulturës, buxheti nga Galeria Kombëtare e Kosovës që funksionon brenda MKRS-së për këtë ekspozitë ka qenë 28 mijë e 583 euro. /Insajderi.com

8 lopë Kosove të mbyllura për 1 muaj në emër të artit, plus 40 mijë euro shpenzime nga shteti