Artisti që ngujoi lopët për 1 muaj i quan “llafe të kafeve” kritikat e aktivistëve për kafshë

Artisti që ngujoi lopët për 1 muaj i quan “llafe të kafeve” kritikat e aktivistëve për kafshë

Reagimet që ka ngjallur instalacioni i tij në Galerinë Kombëtare të Kosovës pjesë e ekspozitës së tij “Të dua pa e ditur”, ku ka ngujuar për 1 muaj në një ahur ngjit me objektin e Galerisë, për vet artistin, autorin e kësaj vepre Sislej Xhafa, janë “llafe te kafeve”.

Ai i është përgjigjur pyetjeve të Insajderit që i janë dërguar atij për t’ia marrë një koment në lidhje me ankesat e aktivistëve për të drejtat e kafshëve të cilët janë shprehur të indijuar me faktin se artisti po i mbanë mbyllur lopët për një muaj në ahurin e vendosur ngjitë me murin e Galerisë Kombëtare të Arteve.

Kur Insajderi e ka pyetur për komentet rreth këtyre kritikave të aktivistëve për kafshë, ai nuk është marrë me ankesat e tyre por me faktin se ato kanë përkujdesje të mirë nga vet pronari.

“A ke hy në ahër brenda me pa përkujdesjen që është 24h..? Atëherë përpara se te japësh konkludime, kërkoja prej Galerisë me vizitu aherin…ata ta japin guided tour”, ka thënë Xhafa në përgjigjet për Insajderin.

8 lopë Kosove të mbyllura për 1 muaj në emër të artit, plus 40 mijë euro shpenzime nga shteti

Duke mos dashur ta kuptojë esencën e kritikave të aktivistëve, Xhafa ka vazhduar të merret me kritikat e tij mbi gazetarinë profesionale.

“Si gazetar profesional është mirë që të kesh edhe etikë profesionale. Hulumto ma shumë”, ka shkruar Xhafa përmes emailit. Përkundër faktit se Xhafa se ka asnjë lidhje me gazetarinë profesionale, Insajderi ka qenë në Galerinë Kombëtare të Kosovës për të parë gjendjen e lopëve. Ato janë të ngujuara që prej 5 korrikut kur edhe është hapur ekspozita. Do të qëndrojnë të ngujuara deri me 5 gusht.

Këtë e ka konfirmuar edhe vet pronari i lopëve që kujdeset për to në ahurin e Galerinë Kombëtare, por përkundër instruksioneve të drejtoreshës Arta Agani për pronarin se “lopët megjithatë po lëshohen në oborr”, pronari nuk ka mundur të gënjejë.

“Jo asnjëherë nuk i kam lëshuar”, ka thënë ai.

8 lopë Kosove të mbyllura për 1 muaj në emër të artit, plus 40 mijë euro shpenzime nga shteti

“8 lopë Kosove” titullohet vepra e tij, e cila është e vendosur në oborrin e Galerisë së Arteve të Kosovës. Aty është ndërtuar një ahur në të cilën qëndrojnë 8 lopë të mbyllura, teksa ato mund të shihen vetëm nga brenda Galerisë, ku është thyer muri për të krijuar një dritare. E krejt kjo ekspozitë e Sislej Xhafës shtetit i ka kushtuar afro 40 mijë euro.Lexo tekstit me detaje: https://goo.gl/Bqbtt7

Posted by Insajderi on Thursday, 19 July 2018

E vet artisti Sislej Xhafa ka vazhduar me leksionet e tij mbi gazetarinë dhe bisedat konstruktive.

Sipas tij kritikat e aktivistëve për të drejtat e kafshëve, janë thjesht “llafe të kafeve”.

“Me thashetheme nuk merrem. Nëse e përqafon etikën profesionale hulumtoni ma shumë. Bisedat jo konstruktive, të kafeve dhe të ulta… nuk kam kohë”, ka shkruar Xhafa.

Kundër këtij instalacioni ka reaguar edhe akademik Mehmet Kraja. Sipas shkrimtarit të njohur, vepra e Xhafës “8 lopë Kosove” që është si instilacion i ekspozitës “Të dua pa e ditur”, është një gërryerje e buxhetit të varfër të Kosovës.

“Të gjithë u duken të lumtur për këtë sadomazohizëm politik dhe kulturor të paparë, një pjesë e komunitetit artistik, mediet, të gjithë, pa çka se është pikërisht ky komunitet artistik dhe kulturor që e di mirë, se këta biçim artistësh, të cilët, pasi iu ka skaduar afati, pasi kanë humbur terren dhe substancë, edhe kreativitet natyrisht, iu kanë vërsulur tani atyre dy metelikëve të buxhetit të varfër të kulturës në Kosovë, duke ua marrë bukën e gojës atyre që artin nuk e mendojnë, nuk e ëndërrojnë dhe as e perceptojnë si bagël e qelbur e lopës, as si bythë plastike në Galerinë e Arteve të Kosovës”, ka shkruar Kraja në shkrimin e tij me titull “Rikthimi i kohëve të errëta”.

E krejt kjo ekspozitë e Sislej Xhafës shtetit i ka kushtuar afro 40 mijë euro. Sipas Ministrisë së Kulturës, buxheti nga Galeria Kombëtare e Kosovës që funksionon brenda MKRS-së për këtë ekspozitë ka qenë 28 mijë e 583 euro. Ambasada Amerikane në Kosovë ka përkrahur këtë ekspozitë me 4 mijë e 373 euro për honorarin, udhëtimin dhe akomodimin e artistit dhe kuratorit. Sislej Xhafa, sipas MKRS-së, ka marrë 2 mijë euro ndërsa kuratori 5 mijë euro. Ekspozita është përkrahur edhe nga Komuna e Prishtinës me 5 mijë euro.

“Buxheti gjithëpërfshirës për ekspozitën është 37.957.04 euro”, kanë thënë nga Zyra për Media e MKRS-së./Insajderi.com

Akademik Kraja kundër instalacionit me lopë në Galeri: Buxheti i varfër i shtetit për bagla të lopëve