Ymeri: Thaçi e ka pranuar se shqiptarët kanë ushtruar terror gjatë luftës

Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri ka thënë se nuk është befasuar aspak nga deklarata e presidentit të Kosovës, kundër protestës së studentëve tek objekti kishtar ortodoks në kampusin e universitetit, sepse, sipas Ymerit, Thaçi e ka pranuar edhe se shqiptarët kanë ushtruar terror në luftën e fundit në Kosovë.

Ymeri: Thaçi e ka pranuar se shqiptarët kanë ushtruar terror gjatë luftës

“A të çuditemi? Do të çuditesha po të vepronte ndryshe. Njeriu që e pranon se në Kosovë gjatë luftës shqiptarët kanë ushtruar terror, natyrisht se insiston që simboli i hegjemonisë së Serbisë të mos preket. Problemi është se ky njeri e ka zaptuar postin e Presidentit të Republikës”, ka thënë Ymeri.

Ymeri u shpreh se objekti kishtar i ndërtuar në hapësirën universitare në Prishtinë, dhe i inauguruar në janar të vitit 1999,” është simbol i regjimit okupator, fashist e gjenocidal të Millosheviqit dhe shtetit të Serbisë”.

“Ky objekt nuk mund të ndahet nga ajo çfarë ai përfaqëson, nga ajo që është synuar të përfaqësojë – hegjemoninë dhe gjithëpushtetshmërinë e Serbisë dhe kriminelëve të Millosheviqit në Kosovë të vendosur kundër vatrës së rezistencës dhe luftës për çlirim kombëtar të shqiptarëve që simbolizohej me Universitetin”, tha ai.

Dhe sipas Ymerit, “i ashtuquajturi President, i votuar nën masa të dhunshme, Hashim Thaçi, tash drejtpërdrejt po i del në mbrojtje pikërisht këtij narracioni të Millosheviqit (aq më tepër kur, përkundër të vërtetës, e arsyeton sulmin e tij ndaj studentëve protestues me narracionin e rremë të regjimit të Serbisë)”.

Reagimi i Ymerit erdhi pak orë pasi presidenti i Kosovës deklaroi se sulmi ndaj objektit kishtar në kampusin universitar të Prishtinës, është i papranueshëm. /Insajderi.com