Thaçi: Kisha në oborrin e UP-së nuk guxon të preket

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka reaguar ndaj protestës që është mbajtur sot para objektit të Kishës Ortodokse Serbe në Prishtinë.

Thaçi: Kisha në oborrin e UP-së nuk guxon të preket

Thaçi ka thënë se pa marrë parasysh rrethanat dhe kohën në të cilën është ndërtuar cilido objekt, “nuk guxojmë të lejojmë që të cenohen ato.”

“Është e papranueshme dhe e turpshme protesta e sotme para objektit të Kishës Ortodokse Serbe në Prishtinë dhe është e dënueshme dhuna që është manifestuar aty”, ka thënë fillimisht Thaçi.

“Pa marrë parasysh rrethanat dhe kohën në të cilën është ndërtuar cilido objekt, ne nuk guxojmë të lejojmë që të cenohen këto objekte, veçanërisht kur ato i përkasin komuniteteve fetare”, ka deklaruar presidenti Thaçi.

Më tutje, ish-kryetari i PDK-së ka thënë se çdo objekt fetar në Kosovë është dëshmi e tolerancës dhe dialogut ndërfetar që vazhdon të kultivohet në vend.

Policia e Kosovës ka arrestuar sot disa studentë pasi ata u nisën në drejtim të objektit të Kishës ortodokse që ndodhet në kampusin e Universitetit të Prishtnës.

Aksioni është organizuar nga Lëvizja Studentore Studim, Kritikë, Veprim, në bashkëpunim me Parlamentin Studentor. Gjatë së cilit Flamur Pireva nga SKV-ja mbajti një fjalim, duke thënë se “nuk do të lejojnë kthimi i hijes së regjimit të Millosheviqit përmes kësaj kishe.” /Insajderi.com