YIHR dënon gjuhën denigruese ndaj pakicave

Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut ka dënuar gjuhën “denigruese” të zyrtarëve të Partisë Demokratike të Kosovës, të cilët në disa raste janë dëgjuar duke përdorur fjalë ofenduese në publikimet në kuadër të Dosjes së Shefave.

YIHR dënon gjuhën denigruese ndaj pakicave

Sipas YIHR, fjalët si “magjup”, “gabel”, “shkije” dhe “peder” të cilat iu referohen komuniteve të margjinalizuara në Kosovë e në veçanti komunitetit rom, ashkali, egjiptas, serb dhe LGBTI “janë dëshmi për ekzistimin e paragjykimeve dhe urrejtjes që këta deputetë kanë për këto komunitete”.

“Për më shumë vërtetojnë diskriminimin sistematik dhe gjuhën stigmatizuese me të cilën këto komunitete ballafaqohen çdo ditë, dhe janë në kundërshtim të drejtëpërdrejtë me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore që ata kanë si deputetë”, thuhet në një komuniaktë për media të kësaj organizate.

Sot në Kuvendin e Kosovës, deputeti Kujtim Pacaku, që vjen nga komuniteti rom, ka kërkuar kërkim falje nga Kuvendi i Kosovës pasi që në njërin prej publikimeve të përgjimeve telefonike të publikuara në Gazetën Insajderi, deputetja Safete Hadërgjonaj dëgjohet duke përdorur epitete fyese e raciste ndaj deputetëve të pakicave.

Romët, ashkalitë e egjiptasit, deputetja e PDK-së, Safete Hadergjonaj i quan “gabel” e “magjupë”, ndërsa serbët i quan “shkije”.

YIHR tutje në komunikatë thekson se është tejet shqetësuese për një vend me sistem demokratik që komunitetet jo shumicë të shihen vetëm si mjet i realizimit të qëllimeve të shumicës dhe jo si përfaqësues të anëtarëve të barabartë të shoqërisë me ndihmën e të cilëve mund të realizohet integrimi i plotë i shoqërisë.

“Ne insistojmë që të gjithë personat të cilët mbajnë pozita publike duhet të kenë integritet të lartë etik dhe moral, në mënyrë që të gëzojnë besimin qytetar në përfaqësimin e interesave të tyre. Në momentin kur këta persona nuk u përmbahen këtyre parimeve nuk duhet të gëzojnë më tutje pozitën e përfaqësuesit dhe mbrojtësit të të drejtave të barabarta për të gjithë qytetarët”, thuhet në komunikatë./Insajderi.com