Tahiri lartësoi figurën e ish-presidentit të Izraelit që nuk e njohu asnjëherë pavarësinë e Kosovës

Ministrja për Dialog, Edita Tahiri deklaroi sot se ish-presidenti i Izraelit Shimon Peres ka qenë frymëzim për kosovarët që të formojnë shtetin e pavarur, edhe pse ai nuk e njohu kurrë shtetin e pavarur të Kosovës për shtatë vite sa qëndrojë në krye të shtetit izraelit.

Tahiri lartësoi figurën e ish-presidentit të Izraelit që nuk e njohu asnjëherë pavarësinë e Kosovës

Ministrja kosovare e cila po qëndron në Qendrën për Paqe “Shimon Peres” ku po zhvillon takime me përfaqësues të organizatave paqësore dhe mediave në Izrael, ka thënë se presidenti i ndjerë i Izraelit, Shimon Peres, ka qenë një vizionar dhe frymëzim për Kosovën.

Siç njofton Zyra e Kryeministrit të Kosovës përmes një komunikate, Tahiri ka lavdëruar ish-presidentin e Izraelit, derisa ka thënë se Kosova është frymëzuar nga idetë e tij për të krijuar shtetin e pavarur.

“Ministrja për Dialog theksoi se ish-presidenti Shimon Peres ka qenë një lider vizionar dhe inspirues për një botë më paqësore dhe më të drejtë, nga idetë e të cilit edhe vet Kosova është frymëzuar në përpjekjet për krijimin e shtetit të Kosovës dhe të paqes në rajon, mbi parimin e njohjes reciproke mes shteteve dhe të fqinjësisë paqësore në rajon”, njofton komunikata e lëshuar nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Megjithatë, Shimon Peres gjithnjë është cilësuar nga zyrtarët e shtetit serb si njëri nga personat më meritor që Izraeli nuk po e njeh Kosovën.

Më 30 shtator të vitit të kaluar, presidenti i Serbisë Tomislav Nikoliq deklaroi se Izraeli nuk do ta njoh kurrë Kosovën si shtet të pavarur, dhe për këtë ai u shpreh se merita të mëdha ka ish-presidenti i Izraelit, Shimon Peres.

Nikoliq: Ish-presidenti Peres më garantoi se Izraeli s’do ta njoh kurrë Kosovën

I pari i shtetit serb në atë ditë kishte marrë pjesë në funeralin e vdekjes së ish-presidentit të Izraelit, ku tha se Peres është arseja kryesore përse Izraeli nuk e njohu asnjëherë Kosovën.

Nikoliq kishte deklaruar se ish-presidenti i Izraelit nga viti 2007 deri në vitin 2014, ka bindur edhe të tjerët se “Kosova nuk duhet njohur si shtet, pasi ka shpallur pavarësinë e njëanshme shtetërore”.

“Ai dhe unë u takuam në vitin 2013, derisa ai shërbente ende si president i vendit. Unë kuptova se mendimi i tij është i tillë, se Izraeli nuk do ta njoh kurrë pavarësinë e Kosovës. Ai më tha se Izraeli do t’i qëndroj prapa Serbisë”, rrëfeu Nikoliq, shkruante Transmetuesi Publik i Serbisë.

Nikoliq po ashtu kishte thënë se Serbia i ka borxh ish-presidentit të Izraelit, Shimon Peres. /Insajderi.com