Posti i servilit të PDK-së shkakton përçarje në koalicion

Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi dhe kolegët e tij nga NISMA kundërshtuan emërimin e Rexhep Hotit si Koordinator Nacional për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, sipas propozimit të Enver Hoxhajt. Ata e konsideronin emërimin e Hotit në këtë pozitë si përfshirje e panevojshme në punët e një dikasteri qeveritar që udhëhiqet nga partia e tyre. 

Posti i servilit të PDK-së shkakton përçarje në koalicion

Pozita e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport në të cilën u emërua dje nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Rexhep Hoti, ka shkaktuar përçarje në koalicionin qeverisës – gjegjësisht në marrëdhëniet mes PDK-së dhe Nismës Socialdemokrate.

Kjo për shkak se përfaqësuesit e Nismës Socialdemokrate në kabinetin qeveritar kundërshtuan emërimin e Hotit, sipas propozimit të Zyrës së Zëvëndëskryeministrit Enver Hoxhaj që rekomandoi Hotin si koordinator edhe për Arsim, përveç Kulturës, Rinisë dhe Sportit.

Insajderi ka siguruar javën e kaluar propozimin e përpiluar nga Zyra e Zëvendëskryeministrit Hoxhaj në të cilin e rekomandoi Rexhep Hotin për pozitën e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport. Kjo pozitë, të cilën Hoxhaj e shpiku për kolegun e tij nga PDK-ja, është e barasvlefshme me një pozitë të ministrit.

Por, kur ky propozim që mbërriti në mbledhjen e qeverisë të martën, shkaktoi përplasje në mes të anëtarëve të kabinetit qeveritar: ndërmjet pjesëtarëve të NISMA-s dhe atyre të PDK-së.

Ministri i Arsimit, Shyqyri Bytyqi dhe kolegët e tij nga NISMA kundërshtuan emërimin e Hotit sipas propozimit të Enver Hoxhajt. Ata e konsideronin emërimin e Hotit në këtë pozitë si përfshirje e panevojshme në punët e një dikasteri qeveritar që udhëhiqet nga partia e tyre.

Pasi hasën në kundërshtimet e NISMA-s, kabineti qeveritar e miratoi emërimin e Rexhep Hotit vetëm si Koordinator për Kulturë, Rini dhe Sport.

Ndonëse mban pozitë të lartë brenda Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në të cilën është emëruar nënkryetar vitin e kaluar, Rexhep Hoti njihet për deklaratat servile ndaj liderëve të PDK-së, ish-kryetarit Hashim Thaçi dhe kryetarit aktual Kadri Veseli.

Hoti shpeshherë shfrytëzon paraqitjet publike për t’i thurur lavde e për t’i “shënjtëruar” liderët e partisë së tij.

Rexhep Hoti shfrytëzon edhe një emision televiziv për t’i thurur lavde Thaçit

E përplasja ndërmjet anëtarëve të NISMA-s dhe PDK-së në kabinetin qeveritar të martën nuk përfundoi me kaq. Edhe anëtarët e PDK-së kundërshtuan një propozim të ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasanit, i cili vjen nga radhët e NISMA-s.

Ministrat e PDK-së kundërshtuan krijimin e Zonës Ekonomike për Komunën e Malishevës, sipas propozimit të ministrit Hasani, duke e cilësuar si të ngutshëm këtë propozim. Besim Beqaj, ministër i Inovacionit nga Partia Demokratike, tha se nuk dihet ende se çfarë pronash janë ato në të cilat u propozua të krijohet Zona Ekonomike në Malishevë.

“Nuk dihet ende nëse pronat janë private apo shoqërore”, citohet të ketë thënë Beqaj në mbledhjen e djeshme të qeverisë, raporton Insajderi.

Përplasjet brenda koalicionit qeverisës janë bërë të zakonshme në qeverisjen e Ramush Haradinajt, e cila ka një bazë të gjërë me disa parti që kanë formuar qeverinë në shtatorin e vitit të kaluar. Muajin e kaluar, PDK pati kundërshtuar propozimet e ministrit të Zhvillimit Ekonomik nga Aleanca Kosova e Re (AKR) për emërimin e disa anëtarëve të bordit në ndërmarrjet publike. /Insajderi.com