Hoxhaj “shpik” një pozitë për Hotin – do përfitojë pagë të njëjtë me ministrat

Pozita të cilën zëvendëskryeministri Hoxhaj e ka "shpikur" për Hotin është ajo e Koordinatorit për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport të Republikës së Kosovës, e cila është e barasvlershme me një pozitë ministri

Hoxhaj “shpik” një pozitë për Hotin – do përfitojë pagë të njëjtë me ministrat

Enver Hoxhajt nuk i duken mjaft 24 ministra e mbi 70 zëvendësministra. Zëvendëskryeministri i Kosovës po provon të “shpikë” pozita të reja, të barasvlefshme me ato të ministrit për të emëruar njerëz të partisë së tij.

Një të tillë, Hoxhaj e ka kurdisur për nënkryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe zëvendësministrin e Kulturës, Rexhep Hotin.

Pozita të cilën zëvendëskryeministri Hoxhaj e ka shpikur për Hotin është ajo e Koordinatorit për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport të Republikës së Kosovës, e cila është e barasvlershme me një pozitë ministri.

Insajderi ka siguruar propozimin e përpiluar nga Zyra e Zëvendëskryeministrit Hoxhaj në të cilin e rekomandon Rexhep Hotin për pozitën e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport, raporton Insajderi.


Propozimi i Enver Hoxhajt për emërimin e Rexhep Hotit Koordinator

Në këtë propozim, zv/kryeministri Hoxhaj kërkoi që në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës të shqyrtohej propozimi i zv/ministrit Hoti për pozitën e koordinatorit.

Ende nuk është caktuar se kur do të mbahet mbledhja e ardhshme e kabinetit qeveritar, mirëpo tashmë janë caktuar pikat e rendit të ditës për mbledhjen e ardhshme. Në rend të ditës ndodhet edhe “shqyrtimi i propozimit për emërimin e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport”.

Hoti u emërua zëvendësministër i pestë në Ministrinë e Kulturës në muajin shkurt të këtij viti. Madje për shkak të numrit të madh të zëvendësministrave, asokohe Ministria e Kulturës nuk posedonte asnjë zyrë për ta sistemuar nënkryetarin e PDK-së. Ai u detyrua ta ndante zyrën me ndonjërin nga kolegët e tij.

Pozita në të cilën është propozuar Hoti, me pagë të njëjtë sikurse të ministrave

Funksioni i Koordinatorit Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport parasheh avantazhe për kryesin e funksionit; sidomos nëse krahasohen avantazhet e një koordinatori nacional me ato të zëvendësministrit.

Nëse kabineti qeveritar në mbledhjen e ardhshme vendos për emërimin e Rexhep Hotit në krye të rolit si Koordinator Nacional, atëherë nënkryetari i PDK-së do të përfitojë rritje page. Ai do të marrë pagë të njëjtë me ministrat e qeverisë.

“Paga e Koordinatorit do të jetë e barasvlershme me pagën e ministrit”, thuhet në pikën 6 të propozim-vendimit.

Po ashtu, ne vendimin i cili pritet të shqyrtohet në mbledhjen e ardhshme të qeverisë, në pikën 5 të tij, theksohet se Koordinatori Nacional për Kulturë, Arsim, Rini dhe Sport mund të emëroje deri në tre këshilltarë personal.

Gjithashtu, në një pikë tjetër të vendimit (pika 4.) bëhet e ditur se “Mandati i Koordinatorit do të ketë kohëzgjatje katër vjeçare.

Dikur përplaseshin, sot bashkëpunojnë

Vetëm tetë muaj më parë, Rexhep Hoti kishte hedhur akuza në distancë ndaj kolegut të tij nënkryetar dhe bashkëpartiakut në Partinë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhajt.

Në muajin tetor të vitit të kaluar, mediumi i afërt me nënkryetarin e PDK-së, Rexhep Hotin, akuzoi Enver Hoxhajn se ka shkuar natën dhe e ka uzurpuar zyrën, ku duhej të vendosej Behgjet Pacolli, zv/kryeministri i parë i Kosovës.

Zyra ku është akomoduar Hoxhaj, sipas portalit “Infopress”, është e paraparë vetëm për zv/kryeministrin e parë, por jo edhe të tjerët.

“…mbrëmë natën ka shkuar Enver Hoxhaj dhe e ka uzurpuar zyrën dhe i ka çuar dokumentet e veta si zëvendëskryeministër jo i pari, por i dyti a i treti dhe tashti natyrisht duke kërkuar zyrën e vet zëvendëskryeministri i parë që i takon ne Qeveri, ai e ka pa që tash e ka zyrën e uzurpuar”, shkruante “Infopress” asokohe.

Përplasje në kryesi të PDK-së, portali i afërt me Hotin publikon një ekskluzive kundër Hoxhajt

I njëjti portal, në një artikull tjetër kundër Enver Hoxhajt, të publikuar në tetorin e vitit të kaluar, shkruante se Hoxhaj kishte kërkuar dy poste qeveritare, por partia kishte përdorur “taktikën e vjetër e cila ka funksionuar gjithmonë”.

Gjuha e ashpër e portalit të afërt me Rexhepin Hotin përfshinte edhe akuza të tjera për kolegun e tij partiak, Enver Hoxhajn.

“Z. Hoxhaj, ç’është e vërteta, gënjeshtrat i bën gjithmonë me marifet. Dëm i madh që ky personalitet me kapacitet të madh intelektual u bë shërbëtor pa kushte i uzurpatorëve të pagdhendur të PDK-së”, është akuza tjetër që i bëhet Hoxhajt nga portali i afërt me nënkryetarin e PDK-së, Rexhep Hotin.

Rexhep Hoti gjatë viteve 2007-2009 kishte udhëhequr Gazetën “Infopres”, e cila publikohej në print dhe i shërbente Hashim Thaçit. Më pas, e kishte mbyllur. Portali “Infopress”, zyrtarisht nuk menaxhohet nga Hoti.

Por, ai është i pranishëm aty me shkrime të ndryshme dhe portali ka ruajtur logon dhe dizajnin e njëjtë, të cilën medium e kishte kur botohej në print. /Insajderi.com