Policia: Kishim urdhër gjykate për ta bastisur “Zone Club”

Policia: Kishim urdhër gjykate për ta bastisur “Zone Club”

Policia e Kosovës ka informuar se bastisja në klubin e natës“Zone Club”në Prishtinë të premten është bërë me urdhër të Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Përmes një komunikate Policia ka njoftuar se kjo urdhëresë është lëshuar me datën 11.08.2017, dy ditë pasi që u raportua për një rasti shkaktim i rrezikut të Përgjithshëm, ku si pasojë e kësaj kanë mbetur të lënduar katër person me ç’rast është përdorur edhe armë zjarri.

Mirëpo njërin nga pronarët e “Zone Club”, Petrit Kllokoqin kjo bastisje e kishte zemëruar i cili pretendonte se policia ka ndërmarr veprime të kundërligjshme ndaj klientëve dhe stafit.

Policia ka njoftuar se gjatë bastisjes nuk është gjetur asgjë e dyshimtë dhe ilegale, mirëpo që gjatë operacionit ajo është ballafaquar me mosbashkëpunim dhe sjelle arrogante nga ana e dy personave të dyshuar.

“Pas kompletimit të gjitha veprimeve të nevojshme procedurale ndaj të shoqëruarve ne stacion, të cilët më pas janë liruar në procedurë të rregullt si dhe pas kryerjes së të gjitha bastisjeve të parapara, operacioni është konsideruar i përfunduar rreth orës 05:00 të datës 11.08.2017”, thuhet në njoftimin e policisë.

Pavarësisht kësaj, Kllokoqi pretendon se Policia e Kosovës ka kryer veprime të kundërligjshme natën e 11 gushtit.

“Duke qenë se para Zotit dhe ligjit të gjithë jemi të barabartë, mbrëmë, disa nga pjesëtaret e Policisë së Kosovës, e keqpërdorën detyrën zyrtare duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme ndaj menaxhmentit të Zone, stafit dhe klientëve, dhe për këtë ne do të ushtrojmë të drejtën tonë ligjore”, ka thënë Kllokoqi. /Insajderi.com