Pronari i “Zone Club” pretendon se policia veproi kundërligjshëm ndaj klientëve

Pronari i “Zone Club” pretendon se policia veproi kundërligjshëm ndaj klientëve

Një bastisje e Policisë së Kosovës në klubin e natës “Zone” në Prishtinë të premten ka zemëruar njërin prej pronarëve të këtij klubi, Petrit Kllokoqin, i cili pretendon se policia ka ndërmarr veprime të kundërligjshme ndaj klientëve dhe stafit.

Kllokoqi, i cili është njëri nga katër aksionarët e klubit, ka thënë se policia e ka prishur ndejën e organizuar të premten, por siç ka thënë ai, në klubin e natës “Zone” nuk është gjetur asgjë.

“Zone Club ka qenë dhe do të jetë partner i ngushtë i institucioneve të shtetit, për çdo lloj bashkëpunimi që iu nevojitet prej nesh. Ne si Zone, me sipërfaqe prej 950m2 dhe mbi 3000 klientë brenda, ku secili nga ta u kontrollua, e bashkë me ta edhe çdo cep i klubit, ndjehemi krenarë për punën tonë dhe mburremi me secilin nga ju që në përfundim nuk është gjetur asgjë”, ka deklaruar Kllokoqi.

Pavarësisht kësaj, Kllokoqi pretendon se Policia e Kosovës ka kryer veprime të kundërligjshme natën e 11 gushtit.

“Duke qenë se para Zotit dhe ligjit të gjithë jemi të barabartë, mbrëmë, disa nga pjesëtaret e Policisë së Kosovës, e keqpërdorën detyrën zyrtare duke vepruar në mënyrë të kundërligjshme ndaj menaxhmentit të Zone, stafit dhe klientëve, dhe për këtë ne do të ushtrojmë të drejtën tonë ligjore”, ka thënë Kllokoqi.

Ndërkaq, Insajderi ka kontaktuar me dy zëdhënës të Policisë së Kosovës. Baki Kelani, zëdhënës i policisë, e ka konfirmuar aksionin mirëpo ka deklaruar se nuk e posedon raportin e plotë të atij aksioni.

Të dy zëdhënësit e Policisë së Kosovës me të cilët ka kontaktuar Insajderi janë shprehur të gatshëm që të japin detaje mbi aksionin, ditën e nesërme. /Insajderi.com