Pas raportimit të Insajderit, Petshopi heq kafshët nga kafazët e ekspozuar në diell

Pas raportimit të Insajderit, Petshopi heq kafshët nga kafazët e ekspozuar në diell

Dyqani i kafshëve shtëpiake në qendër të Prishtinës, PetShop Beta, i cili së fundmi është kritikuar dhe ka marrë vëmendje të madhe për trajtim aspak të mirë të kafshëve duke i mbajtur disa prej tyre në një kafaz dhe duke i ekspozuar në diell, është mbushur mend.

Insajderi më 19 korrik kishte raportuar për këtë dyqan të kafshëve, duke treguar gjendjen e lokalit dhe duke zbuluar edhe qëndrimin e Agjencisë së Veterinarisë dhe Ushqimit që kishte kritikuar dyqanin për gjendjen e keqe.

Por një javë pas raportimit të Insajderit, PetShopi i ka hequr kafshët nga kafazët dhe i ka larguar nga ekspozimi në diell. Jashtë dhe në kafaze kanë mbetur vetëm papagajtë.

Insajderi ka monitoruar disa ditë dyqanin dhe ka vërejtur se ato nuk ekspzohen. Mirëpo pronari i dyqanit nuk ka siguruar se kafshët do të kthehen. Ka akuzuar Insajderin se dëshiron t’ia mbyllë lokalin.

Por kur është pyetur nëse i ka hequr pas ndonjë urdhëri të shtetit, pronari është përgjigjur shkurt.

““Po i kemi hekë, pasi që ju na keni tërheqë vërejtjen ” tha pronari i PetShopBeta që nuk deshi të identifikohej, duke iu drejtuar Insajderit.

Ky dyqan i kafshëve shtëpiake ekspozimin e maceve, lepujve dhe papagajve e bënte jashtë lokalit, në diell dhe duke i futur disa kafshë në një kafaz.

Prej kafshëve të këtij pet shopi, qentë janë më me fat. Ata mbahen dhe shiten brenda lokalit kështu duke i shpëtuar temperaturave të larta.

Javën e kaluar, Agjencia e Veterinarisë dhe Ushqimit ka deklaruar se institucioni ka bërë kontrollin në këtë lokal dhe ka dhënë vërejtje për mirëmbajtjen e kafshëve.

“AUV ka bërë inspektimin e këtij dyqani para disa kohe, kemi bërë vërejtjet tona lidhur me përkujdesin ndaj kafshëve dhe mirëmbajtjen e pjesëve ku mbahen kafshët,” kishte thënë Drejtor i Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve, Sadik Heta.

Në kafaze dhe në diell – Petshopi që kritikohet nga shteti vazhdon punën midis Prishtine