Ministria e Drejtësisë i përgjigjet Odës së Avokatëve rreth pretendimeve të saj

Ministria e Drejtësisë i përgjigjet Odës së Avokatëve rreth pretendimeve të saj

Ministria e Drejtësisë i është përgjigjur pretendimeve të Odës së Avokatëve për ndërhyrjen e Qeverisë në pavarësinë e këtij institucioni.

“Me qellim të mbrojtjes së ligjshmërisë së punës së Odës së Avokatëve, Qeveria e Republikës së Kosovës me datë 19.04.2017 ka marrë vendim nr. 05/142,  me të cilin ndalohet përkohësisht zbatimi i Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas deri në vendimin përfundimtarë të gjykatës. Vendimi është i përkohshëm dhe si i tillë nuk paragjykon përfundimin e procesit në lidhje me këtë çështje”, thuhet në sqarimin e Ministrisë së Drejtësisë.

“Vendimi i cekur më lartë është i bazuar në nenin 44 paragrafi 1 i Ligjit nr. 04/L-193 për Avokatinë, i cili përcakton: ‘Qeveria e Kosovës mbikëqyr ligjshmërinë e akteve të përgjithshme të Odës së Avokatëve dhe ka të drejtë që gjer në vendimin e gjykatës kompetente, të ndalojë ekzekutimin e aktit i cili është në kundërshtim me ligjin. Kjo mbikëqyrje kufizohet në përfilljen e ligjit dhe të së drejtës, duke mos e cenuar autonominë administrative të Odës së Avokatëve’”, thuhet në sqarimin e Ministrisë së Drejtësisë.

Kryetari i Odës së Avokatëve të Kosovës, Osman Havolli, ka thënë se qeveria ka ndërhyrë në sistemin e drejtësisë me vendimin për pezullimin e avokatëve të cilët nuk kanë tri vjet përvojë pune t’u ndalohet të angazhohen në rastet e krimeve të rënda.

Por Ministria e Drejtësisë thotë se Rregullorja e pezulluar nga Qeveria, është miratuar më 30 qershor 2016 nga Oda e Avokatëve të Kosovës dhe është rezultat i marrëveshjes së bashkëpunimit në mes të Odës se Avokatëve të Kosovës, Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Këshillit Prokurorial të Kosovës dhe Policisë së Kosovës, për themelimin e mekanizmit koordinues për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike në çështjen penale të lidhur me datë, 26 Prill 2016.

“Kjo Rregullore është kontestuar nga një grup i avokatëve, të cilët vlerësimin e ligjshmërisë së kësaj rregullore e kanë dërguar në gjykatën kompetente, të cilët po ashtu kanë kërkuar nga Ministria e Drejtësisë që të iniciojë procedurën për pezullimin e zbatimit të kësaj rregullore deri në vendosjen nga ana e gjykatës lidhur me këtë rast”, thuhet në komunikatën e Ministrisë.

Po ashtu, në dispozitat e Ligjit për Avokatinë, sqaron Ministria e Drejtësisë, nuk parasheh nxjerrjen e një akti të tillë nga ana e Odës së Avokatëve të Kosovës, dhe për më tepër se kaq, kjo rregullore është derivat i një marrëveshjeje bashkëpunimi, ku në dispozitat e saj parasheh kufizime të caktuara për avokatë, e të cilat kufizime janë në kundërshtim me dispozitat e Ligjit për Avokatinë, dhe veçmas në kundërshtim me nenin 54 paragrafi1 të Kodit të Procedurës penale.

“Për mbrojtës mund të angazhohet vetëm avokati i cili është anëtar i Odës së Avokatëve të Kosovës, për të cilin mund ta zëvendësojë praktikanti i avokatisë. Kur procedura zbatohet për vepër penale të dënueshme me së paku pesë vjet burgim, praktikanti i avokatisë mund ta zëvendësojë avokatin vetëm nëse e ka kaluar provimin e judikaturës. Pranë Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Supreme të Kosovës, të pandehurit mund ta përfaqësojnë vetëm avokati i cili është anëtar i Odës së Avokatëve së Kosovës”, thuhet në nenin 54 paragrafi 1 të Kodit të Procedurës penale.

Ministria e Drejtësisë thotë se është konsultuar me përfaqësues të Odës së Avokatëve  me qëllim të gjetjes së një zgjidhjeje për këtë çështjeje.

Për më tepër, Ministria e Drejtësisë thotë se është në proces të rishikimit të drejtësisë penale, (Kodit Penal dhe Kodit të Procedurës Penale) dhe me këtë rast shprehet e përkushtuar për diskutimin dhe shqyrtimin e çfarëdo çështjeje, duke përfshirë edhe çështjet e përcaktuara në rregulloren e cekur më lartë, dhe fton palët e përfshira në këtë kontest t’i paraqesin propozimet e tyre.

Insajderi ka raportuar dje se si më 19 prill të këtij viti, Qeveria ka nxjerrë një vendim për ndalimin e përkohshëm të ekzekutimit të Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës./Insajderi.com