Qeveria ndërhyn në drejtësi – pezullon një rregullore të Odës së Avokatëve

Qeveria e Kosovës ka ndërhyrë për herë të parë në punët e Odës së Avokatëve të Kosovës. Ka pezulluar një rregullore brenda së cilës ka një pikë që avokatëve që kanë nën tri vjet përvojë pune u ndalohet të angazhohen sipas detyrës zyrtare në rastet penale të krimeve të rënda. Avokatët kanë bërë padi në gjykatë, por gjykata ka hedhë poshtë pretendimet e tyre. Oda e Avokatëve vendimin e ekzekutivit po e konsideron ndërhyrje në drejtësi. Ndërsa, avokatët ankues konsiderojnë se Qeveria pezulloi një rregullore diskriminuese dhe antikushtetuese.

Qeveria ndërhyn në drejtësi – pezullon një rregullore të Odës së Avokatëve

Qeveria e Kosovës e drejtuar prej Isa Mustafës, ka nxjerrë një vendim, të cilin Oda e Avokatëve të Kosovës po e konsideron ndërhyrje flagrante në sistemin e drejtësisë.

Më 19 prill të këtij viti, Qeveria ka nxjerrë një vendim për ndalimin e përkohshëm të ekzekutimit të Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas, deri në vendimin përfundimtar të gjykatës.

Vendimin e ka bazuar në nenin 44 të Ligjit për Avokatinë i cili i jep të drejtë Qeverisë të mbikëqyrë ligjshmërinë e akteve të përgjithshme të Odës së Avokatëve. Ky nen i jep të drejtë Qeverisë që deri në vendimin e gjykatës kompetente, të ndalojë ekzekutimin e aktit i cili është në kundërshtim me Ligjin.

Vendimi i ekzekutivit nuk ka asnjë rresht arsyetim.

Rregullores së pezulluar me vendimin e Qeverisë i kishte paraprirë marrëveshja e nënshkruar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, Këshilli Gjyqësor i Kosovës, Këshilli Prokurorial i Kosovës dhe Policia e Kosovës, e përkrahur edhe nga partneret ndërkombëtar e me theks të veçantë OSBE-ja.

Marrëveshja ishte nënshkruar dy vjet më parë. Kishte qëllim të vendoste rend në caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare. Deri atëherë një grup avokatësh që ishin të lidhur me policinë, prokurorinë dhe gjykatat angazhoheshin vazhdimisht në raste penale sipas detyrës zyrtare.

Marrëveshja mes Odës, Këshillit Prokurorial, atij Gjyqësor dhe Policisë kishte pasuar me themelimin e një qendre të thirrjeve në Odën e Avokatëve e cila caktonte avokatët me rend. Deri në rregullimin e kësaj çështjeje, avokatët thirreshin në telefon nga Policia, Prokuroria dhe Gjykatat për t’i angazhuar.

Pos rregullimit të çështjes së angazhimit me rend të avokatëve, Rregulloja e Odës së Avokatëve të Kosovës përcaktonte se avokatët që nuk kanë tri vjet përvojë pune nuk mund të angazhohen në rastet e krimeve të rënda. Kjo ishte nxjerrë si ekuivalencë me prokurorët dhe gjyqtarët të cilët pa i pasur tri vjet përvojë pune nuk mund të jenë pjesë e departamenteve të krimeve të rënda.

Rregullorja ua ndalonte angazhimin avokatëve pa përvojë prej tri vjetësh vetëm në rastet kur paguhen nga buxheti i shtetit. Në rastet e angazhimeve nga të pandehurit, atyre nuk u ndalohet që të mbrojnë edhe në rastet e krimeve më të rënda, ani se mund të mos i kenë tri vjet përvojë pune.

Kjo pikë ishte cilësuar diskriminuese dhe antikushtetuese nga një grup avokatësh të rinj që nuk i kishin tri vjet përvojë. Avokatët Albana Kelmendi, Naim Rudari dhe Edita Kusari kishin bërë padi në Gjykatën Themelore të Prishtinës. Pos kërkesës për anulimin e tërësishëm të kësaj rregulloreje, avokatët kishin kërkuar masë të përkohshme ndalimin e zbatimit të kësaj pike.

Konsideronin se bazuar në ligjet në fuqi dhe Kushtetutë, avokatët, posa të bëjnë betimin dhe të licencohen, u garantohet që të përfaqësojnë të akuzuar edhe në rastet e krimeve më të rënda.

Dy prej avokatëve paditës, në fakt janë në mesin e avokatëve që më së shumti ishin angazhuar sipas detyrës zyrtare. Emisioni Betimi për Drejtësi kishte publikuar listën e avokatëve përfitues për vitin 2015. Albana Kelmendi dhe Naim Rudari janë në mesin e dhjetë avokatëve më të angazhuar.

https://www.youtube.com/watch?v=tz4IPYEtvEA&feature=youtu.be

Por Gjykata Themelore në Prishtinë, më 14 nëntor 2016 e kishte hedhë poshtë këtë padi si të palejueshme duke mos u dhënë të drejtë këtyre avokatëve. Arsyeja pse e kishte hedhë poshtë këtë, ishte se avokatët kishin atakuar rregulloren e Odës e jo vendimin e shkallës së dytë të Odës e cila hidhte poshtë pretendimet e ankuesve.

Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës ndër të tjera thuhet se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës gjeti se në rastin konkret propozimi për caktimin e masës së përkohshme të sigurimit është i palejueshëm.

Gjykata konstatonte se sipas nenit 13 të Ligjit për Konfliktet Administrative, konflikti administrativ mund të fillojë kundër aktit administrativ të nxjerrë në procedurën administrative në shkallën e dytë. Ndërsa mund të paraqitet edhe propozimi për shtyrjen e ekzekutimit të aktit i cili kontestohet me padi konform nenit 22 të Ligjit për Konflikt Administrativ.

“Nga shkresat e lëndës rezulton se paditësit propozuesit kanë parashtruar ankesë fillimisht kundër Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare dhe ofrimin e ndihmës juridike falas, të miratuar në mbledhjen e mbajtur me datën 30 qershor 2016 në Komisionin e Ankesave të Odës së Avokatëve të Kosovës me ç’rast e njëjta ka nxjerrë vendim më datën 8 tetor 2016, ndërsa me padi dhe me propozim është atakuar rregullorja dhe jo vetë vendimi i lartcekur në shkallën e dytë”, thuhet në vendimin e Gjykatës Themelore të Prishtinë.

Në arsyetimin e vendimit të Gjykatës thuhet rregullorja është akt i përgjithshëm, ligjshmërinë e të cilit konform nenit 44 të Ligjit për Avokatinë e bën Qeveria e Kosovës.

“Qeveria e Kosovës mbikëqyrë ligjshmërinë e akteve të përgjithshme të Odës së Avokatëve dhe ka të drejtë që deri në vendimin e Gjykatës kompetente, të ndalojë ekzekutimin e aktit i cili është në kundërshtim me Ligjin. Kjo mbikëqyrje kufizohet në përfilljen e ligjit dhe të së drejtës duke mos e cenuar autonominë administrative të Odës së Avokatëve”, shkruan më tej.

Një grup tjetër avokatësh kishte bërë padi në gjykatë. Mes avokatëve është edhe Gazmend Ajvazi, që është njëri prej përfituesve më të mëdhenj në angazhimet sipas detyrës zyrtare, para miratimit të Rregullores së Odës. Edhe kjo padi ishte hedhë poshtë. Atë e kishte hedhë poshtë edhe Gjykata e Apelit.

Ndërkohë, avokatët e pakënaqur me vendimin e Gjykatës i janë drejtuar Qeverisë nëpërmjet Ministrisë së Drejtësisë për të kërkuar anulimin e Rregullores. Ndonëse Gjykata i ka hedhë poshtë pretendimet e avokatëve, Qeveria ka marrë vendim për anulimin e saj.

Kjo është hera e parë që Qeveria ndërhyn në vendimet e Odës së Avokatëve të Kosovës.

Oda e Avokatëve pritet që të hënën të mbajë një konferencë të jashtëzakonshme për media lidhur me këtë çështje.

Ndërkaq, të premten ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme. Ka njoftuar se do ta pezullojë rregulloren.

“Këshilli Drejtues konstatoi se, Qeveria e Republikës së Kosovës me zbatimin e vendimit të saj të datës 19 prill 2017, do të shkaktojë dëm të pariparueshëm në sistemin juridik të vendit, duke atakuar të gjitha institucionet e sistemit të drejtësisë në vend, themeluese të mekanizmit koordinues për mbrojtje gjyqësore me shpenzime publike, dhe do të cenojë rënd pavarësinë e këtyre institucioneve”, thuhet në deklaratën e Odës së Avokatëve.

Këshilli Drejtues i Odës ka vendosur ta zbatojë vendimin e Qeverisë për ndalimin e përkohshëm të ekzekutimit të Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare, dhe ofrimin e ndihmës juridike falas, ani se atë e cilëson si ndërhyrës dhe antikushtetues.

“Përkohësisht të vazhdojë me caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare në sistemin e njëjtë, si para hyrjes në fuqi të Rregullores për caktimin e avokatëve sipas detyrës zyrtare, dhe ofrimin e ndihmës juridike falas”, thuhet ndër të tjera.

Pos Qeverisë, avokatët i janë drejtuar edhe Avokatit të Popullit. Zyra e Hilmi Jasharit ka njoftuar ankuesit se po shqyrton ankesën e tyre./Insajderi.com