Mina e dytë në terrenin e njëjtë për Isa Mustafën

Në terme ushtarake, Isa Mustafa është një udhëheqës që për së dyti herë i ngelet përgjegjësia ta kalojë grupin e tij të ushtarëve nga një teren të minuar. Veçse për dallim prej minës së parë, “vendet e rezervuara në këmbim të ushtrisë” e cila mund të shpërthente menjëherë, e dyta “mbështetja për ushtrinë pa miratimin e NATO-s dhe Amerikës” mund të mos shpërthejë menjëherë.

Mina e dytë në terrenin e njëjtë për Isa Mustafën

Hashim Thaçi si president i vendit, shfrytëzoi konferencën për media, në të cilën u mundua të paraqesë si mbështetje, kundërshtimin e NATO-s dhe Amerikës, për iniciativën e tij për transformimin e ushtrisë, duke e thumbuar dy herë kryeministrin e vendit dhe kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.

Fillimisht tregoi se përkundër reagimeve ndërkombëtare, Kosova duhet të ecë para me votimin e projektligjit për transformimin e FSK-së në ushtri pa ndryshime kushtetuese, duke thënë se para se deputetët të votojnë atë, është në dorën e Qeverisë për të dhënë një opinion ose mendim për këtë çështje.

“Jam i bindur se deputetët  nuk do ta lënë Kosovën pa ushtri”, tha fillimisht Thaçi.

“E kemi lutur Qeverinë e Kosovës për mendim, opinion për këtë çështje. Vetëm kemi deklarimet e para se do të ketë një mendim pozitiv, nuk mund të imagjinojë dhe mendoj se do të ketë një opinion tjetër”, shtoi Thaçi.

Në këtë mënyrë presidenti ia la në dorë kryeministrit dhe kabinetit të tij që të vendosë për mendim pozitiv apo negativ për projektligjin të cilin NATO dhe Ambasada Amerikane në Kosovë e kundërshtuan.

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një deklaratë të publikuar të mërkurën ka theksuar “shqetësimet për propozimin për krijimin e Forcave të Armatosura të Kosovës”.

Stoltenberg, që ka zhvilluar gjatë ditës biseda telefonike me presidentin Hashim Thaçi dhe me kryeministrin, Isa Mustafa, thotë se “NATO ka mbështetur zhvillimin e FSK-së si një forcë profesionale dhe shumëkombëshe në rritje”.

Nuk vonoi as disa orë dhe Thaçi mori shuplakën e dytë nga një tjetër institucion i rëndësishëm ndërkombëtar në Kosovë, Ambasada Amerikane.

Ambasada bëri të ditur se është kundër nismës së presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, që transformimi i FSK-së të bëhet duke shmangur ndryshimet kushtetuese.

Por teksa Isa Mustafa ende nuk ka folur rreth kësaj çështje si kryeministër, Ismet Beqiri, shefi i grupit parlamentar të LDK-së ku Mustafa është kryetar, dha sot një shenj që lidhet fort me përkrahjen ndërkombëtare.

“Nuk dëshirojmë të marrim përgjegjësi në kuptimin e asaj që të pengojmë nxjerrjen e këtij projektligji, por edhe të tjerët duhet të marrin përgjegjësi së bashku me ne, por veçmas nismëtarët, për ruajtjen e partneritetit ndërkombëtar”, ka thënë Ismet Beqiri në konferencën pas mbajtjes së mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës, ku Qeverisë iu dërgua projektligji për transformimin e ushtrisë.

Kësisoj Mustafa gjendet në terrenin e njëjtë të rrezikshëm ku ishte gjendur në vitin 2014.

E pikërisht këtë, Thaçi ia përmendi LDK-së edhe në konferencën e sotme. Duke folur për historikun e tentimeve për të krijuar ushtrinë, Thaçi si president kujtoi kohën kur si kryeministër kishte iniciuar të njëjtën transformim por që ishte penguar pasi LDK-së kundërshtoi kushtin e Listës Serbe që ta votojë bërjen e ushtrisë në këmbim të vendeve të rezervuara për edhe një mandat.

“Në atë kohë, deputetët serb dhe të gjitha komunitetet, 25 prej tyre, janë zotuar dhe kanë qenë të gatshëm të votojnë, mirë ndodhi ajo çka ndodhi dhe procesi i shtye në pamundësi për ti siguruar votat, jo për shkak të serbëve sepse ata kanë qenë të gatshëm të votojnë por për shkak të rrethanave të brendshme të paqëndrueshme politike”, tha presidenti, duke bërë një pauzë pas së cilës shtoi “dmth të mungesës së vullnetit politik ”.

Ai aludoi në kryeministrin Isa Mustafa që në atë kohë kishte folur si kryetar i LDK-së.

Vendet e rezervuara ishin bërë temë e debatit publik kosovar kur u hap lajmi se Kosova po bëhej me ushtri- transformimi i FSK’së në Forcat e Armatosura të Kosovës (FAK). Komuniteti serb, dhe një pjesë e komuniteteve tjera pakicë, kushtëzonin votimin e FAK’ut me ndryshime kushtetuese që do të vazhdonin mandatet e rezervuara për ta.

Më 11 mars, 2014, Kryetari i Kuvendit të Kosovës ia dërgoi Gjykatës Kushtetuese amandamentet përkatëse të propozuara nga Qeveria e Kosovës, për ndryshimin e Kushtetutës në bazë të rekomandimeve të RSSS-së, përfshirë këtu edhe ato lidhur me themelimin e FAK-ut.

Me vendimin e saj të datës 31 mars, 2014, Gjykata Kushtetuese vlerësoi pozitivisht ndryshimet e propozuara76 .

Mirëpo, votimi i amandamenteve në Kuvendin e Kosovës u shndërrua në peng të kushtëzimit të komuniteteve pakicë që, në shkëmbim për themelimin e FAK-ut, vendet e rezervuara t’i kenë edhe për një mandat. Për më tepër, madje edhe në këtë rast, votimi pro i deputetëve serb nuk ishte e garantuar, meqë ata edhe publikisht e bënë të qartë që nuk do ta përkrahin themelimin e FAK-ut.

Dhënia e vendeve të rezervuara komuniteteve pakicë edhe për një mandat, në shkëmbim për themelimin e Forcave të Armatosura të Kosovës u përkrah nga Partia Demokratike e Kosovës që asokohe e udhëhiqte qeverinë, mirëpo kjo u kundërshtua nga partitë opozitare.

Edhe përkundrejt apeleve dërguar Kuvendit të Kosovës nga Qeveria e Kosovës78, deputetët nuk pranuan që formimin e FAK-ut ta votojnë në të njëjtën pako me vendet e rezervuara për komunitetet pakicë. Pas kësaj, më 7 maj 2014, Kuvendi i Kosovës u shpërbë dhe vendi shkoi në zgjedhje të përgjithshme, pa e përfunduar formalizimin e Forcave të Armatosura të Kosovës.

Nga ana tjetër, NATO-ja në mënyrë të heshtur, dhe me përkrahje të hapur të SHBA-ve, e dha dritën e gjelbër për transformimit e FSK-së në FAK, mirëpo, duke e bërë të qartë që për këtë duhet edhe vota pro e minoriteteve.

Mirëpo, Serbia e kundërshtoi ashpër krijimin e FAK-ut, dhe këtë çështje Presidenti Nikoliq e ngriti edhe në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, në mbledhjen e 27 majit 2014./Insajderi.com