LAA nesër organizon tryezën me partitë, përjashton PAN-in

LAA nesër organizon tryezën me partitë, përjashton PAN-in

Koalicioni LDK-AKR-Alternativa ka bërë të ditur se nesër do të organizojë tryezë diskutimi si mundësi për të gjetur zgjidhje për tejkalimin e bllokadës politike në Kosovë.

Ftesa u është bërë të gjitha partive politike përveç atyre të koalicionit PDK-AAK-Nisma (PAN).

Nisur nga kjo gjendje e bllokadës lidhur me formimin e institucioneve të dala nga zgjedhjet, Koalicioni Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca Kosova e Re dhe Alternativa (Koalicioni LAA), organizon tryezë diskutimi më datë 16 gusht 2017, në orën 11.00, në sallën N-409 (Salla Alternative) në Kuvendin e Kosovës”, thuhet në njoftimin i cili është dërguar në emër të koalicionit LAA.

“Qëllimi i tryezës është diskutimi dhe propozimi i modaliteteve për gjetjen e zgjidhjes në të cilën është futur Kuvendi i Kosovës që nga certifikimi i rezultateve zgjedhore të zgjedhjeve të parakohshme”, thuhet më tej në njoftim.

Në këtë takim janë ftuar të gjitha partitë tjera përveç atyre të koalicionit PAN.

“Në tryezë janë ftuar deputetët e koalicionit LAA, të Lëvizjes Vetëvendosje dhe minoriteteve, si dhe ekspertë të së drejtës kushtetuese nga shoqëria civile dhe nga fusha akademike”, thuhet aty.

Për më tepër, Shefi i Grupit Parlamentar të koalicionit LAA, Avdullah Hoti paralajmëroi se një tryezë e tillë do të organizohet ditëve në vijim.

Ai ka thënë se nga kjo tryezë do të nxirren modalitetet dhe pyetjet të cilat do t’i drejtohen edhe Gjykatës Kushtetuese për ta qartësuar situatën e krijuar politike, të cilën sipas tij, po e krijojnë deputetët e koalicionit PAN duke e bojkotuar seancën konstituive të Kuvendit./Insajderi.com