Kuçi thotë se EULEX e keqkuptoi deklaratën e tij

Kuçi thotë se EULEX e keqkuptoi deklaratën e tij

Reagimi i misionit të BE-së për sundimin e ligjit EULEX në Kosovë, ndaj deklaratës së ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi për rastin e Sami Lushtakut, sipas vet Kuçit ka ardhur si pasojë e një keqkuptimi.

EULEX i kishte cilësuar si “frikësim dhe ndërhyrje politike” në gjyqësor, deklaratën e Kuçit dhënë për emisionin “Republika” ku kishte thënë se  “nuk ka kurrkund në botë, që mund të ketë vrasje pa u identifikuar personi dhe pa u konstatuar që ka ndodhur nga ai”, duke iu referuar verdiktit për Sami Lushtakun i cili u dënua me 12 vite burg për krime lufte.

“Tash e pash komunikatën dhe bisedova me shefin e Eulex-it, ka qenë një keqkuptim që u sqarua dhe vazhdon bashkëpunimi sikur ka qenë. Ne jetojmë në një vend të lirë e demokratik ku edhe pavarësia e gjyqësorit edhe fjala e lirë respektohen”, ka thënë Kuçi për Insajderin.

Kuçi gjatë intervistës së mbrëmshme gjithashtu kishte thënë se po të mos ishte ministër i Drejtësisë do të fliste shumë gjëra për rastin e Sami Lushtakut. Lushtaku edhe pse i burgosur ruan ende pozitën e kryetarit të Skenderajt dhe lidhjet e forta me Qeverinë i kanë shkaktuar edhe probleme duke e kthyer në burg.