Vizita e Sabit Gecit dhe e një zyrtari të Qeverisë ktheu Lushtakun në burg

Sami Lushtakun e kanë vizituar në QKUK njerëz pa autorizim. Një zyrtar i lartë i Qeverisë së Kosovës është njëri prej personave që e ka vizituar Lushtakun. Po ashtu edhe Sabit Geci me tre persona tjerë e kanë vizituar atë. Për këtë arsye Gjykata e kishte kthyer Lushtakun nga QKUK-ja në burg

Vizita e Sabit Gecit dhe e një zyrtari të Qeverisë ktheu Lushtakun në burg

Dy vizita të ndaluara e kanë detyruar gjyqtarin e EULEX-it, Dariusz Sielicki, që ta kthejë Sami Lushtakun nga QKUK-ja në Burgun e Sigurisë së Lartë.

Insajderi ka zbuluar se e vërteta për kthimin e Lushtakut në burg ka qenë vizita e Sabit Gecit, i dënuar me 15 vjet për krime lufte, dhe një vizitë e një zyrtari të lartë të Qeverisë. Geci ka qenë i shoqëruar edhe nga tre persona tjerë kur e ka takuar Lushtakun në spital, teksa kryetari i Skenderajt po trajtohej për shkak të ankesave shëndetësore.

Në dhomën e Sami Lushtakut në mënyrë të paautorizuar ka hyrë edhe zëvendësministri i Bujqësisë, Kurtan Kajtazi.

Këto vizita të paautorizuara i janë raportuar kryetarit të trupit gjykues Dariusz Sielicki i cili menjëherë ka urdhëruar që Lushtaku pas trajtimit gjatë ditës, natën të kthehet në paraburgim ku po mbahet prej kohësh si i dënuar nga shkalla e parë për vrasjen e një personi shqiptar gjatë luftës në Kosovë. Kjo vrasje është cilësuar si krim lufte. Gjykata nuk e ka përcaktuar vendin e saktë, as kohën dhe as identitetin e viktimës.

Lushtaku është dënuar së bashku me Sylejman Selimin, ish-komandant i përgjithshëm i ish-Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe pjesëtarë tjerë të rajonit të Drenicës. Ata janë dënuar për krime lufte të kryera në fshatin Likoc verën e vitit 1998. Mes të akuzuarve në këtë rast ka qenë edhe Sabit Geci që është shpallur i pafajshëm.

Gazeta online Insajderi.com ka siguruar vendimin e gjyqtarit të EULEX-it, Dariusz Sielicki që vendos për transferimin e ish-komandantit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për rajonin e Drenicës, Sami Lushtakut. Aty përmenden takimet me persona të paautorizuar.

Vizitën në dhomën e Lushtakut e ka konfirmuar për Insajderi.com vetë zëvendësministri, Kurtan Kajtazi. Ai ka thënë se policët e kanë lejuar të futet në dhomë dhe se nuk e ka ditur se ka qenë e ndaluar.

“Unë i kam pyetur Policinë se a bon me hy edhe kam hy. Kam qenë në QKUK edhe kam hy pa ndonjë qëllim. Dy minuta në këmbë kam qëndruar dhe kam dal. Nuk e kam ditë që është e ndaluar”, ka thënë ai për Insajderi.com në një bisedë telefonike.

Në vendimin e gjyqtarit për refuzimin e kërkëses për shtrimin në spital të Lushtakut të bërë nga avokati i tij, Arianit Koci thuhet se “çdo ditë pas përfundimit të testeve dhe ekzaminimeve mjekësore i pandehuri duhet që menjëherë të shoqërohet prapa në qendrën e paraburgimit, në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc. Vendimin i nxjerrë më 18 janar e konfirmon vendimin e 13 janarit.

“Në disa raste të mëhershme Sami Lushtaku i ka përdorur vizitat spitalore që t’i shkel kushtet e paraburgimit dhe të takojë persona të tjerë pa kurrfarë mbikëqyrje të zyrtarëve korrektues. Për këtë arsye ka qenë e nevojshme që ai të vendoset në burgun e sigurisë së lartë”, thuhet më tej në vendim.

Vendimi është marrë pas hyrjes në grevë të Sami Lushtakut. Gjyqtari nuk ishte bindur me këtë veprim të të pandehurit. Ishte thirrur në një vendim të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut që thotë se kur të burgosurit dëmtojnë veten, Gjykata dhe Shërbimi Korrektues nuk mbanë përgjegjësi.

“Avokati mbrojtës  njofton se Sami Lushtaku ka vazhduar me atë ashtu siç e quajti ‘grevë urie’ pasi që ai kërkoi të hospitalizohet në QKUK”, thuhet në vendim.

“Burgu i sigurisë së lartë është i pajisur me pajisje mjekësore që mund t’u ofrojë të burgosurve kujdesin e duhur mjekësor në rast të ndonjë situate me rrezik për jetë. Çfarëdo lëshimi i bërë në favor të të akuzuarve për shkak të ‘grevës së urisë’ së tij mund të inkurajojë atë dhe personat e tjerë që të vazhdojnë me veprime të njëjta në mënyrë që të pengojë drejtësinë”.

Gjyqtari ka thënë se Gjykata Europiane për të Drejtat e ka sqaruar në jurispodencën e saj se Gjykata dhe autoritetet e burgut nuk mund të kritikohen për veprimet e të akuzuarit i cili qëllimisht i shkakton rrezik shëndetit të tij. Ky vendim është marrë në rastin Horoz kundër Turqisë.

“Andaj, qëndrimi i tij përgjatë natës në ndonjë spital nuk lejohet”.

Avokati i Lushtakut, Arianit Koci, ka thënë se vendimi për kthimin në Burgun e Sigurisë së Lartë të klientit të tij ishte i gabuar.

Sipas tij specifikat e sëmundjes së Lushtakut imponojnë që ai të jetë i mbikëqyrur 24 orë nga ana e mjekëve. Insiston se këtë e kanë rekomanduar mjekët.

“Burgu i Sigurisë se Lartë e ka një mjek të përgjithshëm deri në orën 16.00. Pas orarit të punës, ai është mjek në thirrje. Për këtë arsye kam kërkuar që z. Lushtaku, të vazhdojë të qëndrojë në QKUK deri në përfundim të ekzaminimeve mjekësore, ose të dërgohet në Burgun e Dubravës, sepse aty ka spital në kuadër të burgut”, ka thënë Koci.

Ai ka mohuar se ka njohuri që klienti i tij është takuar me personat e përmendur. Ka thënë gjatë kohës që Lushtaku shkon për mjekim, shoqërohet nga gardianët e burgut, Njësia Speciale e Policisë, dhe kohëve të fundit edhe nga zyrtarët e EULEX-it.

“Prandaj, pa lejen e këtyre strukturave, jashtë burgut, vetëm unë kam drejtë ta takojë”, ka thënë Koci për të shtuar se as familja e ngushtë nuk lejohet ta vizitojë Lushtakun.

Sami Lushtaku ishte arrestuar vitin e kaluar në shtëpinë e tij në lagjen Arbëria në Prishtinë pasi ishte larguar pa autorizim nga QKUK-ja. Ai ishte sjellë në Qendrën Klinike Universitare për trajtim. Gjykata kishte vendosur që Lushtaku të dërgohej në Burgun e Sigurisë së Lartë në Gërdoc të Podujevës.

Sabit Geci që ka vizituar Lushtakun është liruar në tetor të vitit të kaluar nga burgu me vendim të zëvendësministrit të Drejtësisë, Lirak Çelaj, me arsyetimin se i duhet trajtim mjekësor.

Vendimi i nënshkruar nga Çelaj në emër të ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, ishte bazuar në një raport të datës 20 korrik 2015, nga një ekip mjekësh prej tre anëtarësh të emëruar nga Ministria, në rekomandimin e drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Emrush Thaçi, për pezullimin e ekzaminimit të dënimit me burgim, në opinionin ligjor të Departamentit ligjor të Ministrisë së Drejtësisë të datës 2 tetor 2015, si dhe në shkresat e tjera të institucioneve shëndetësore.