Kompania që po hetohet si shkaktare e vdekjeve në QKUK

Kompania “Bubeari Komerc” nga Kaçaniku, tash e disa vite është duke e furnizuar Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, me gazra medicinal. Ndaj saj kanë nisur hetime pas dyshimeve të ngritura nga Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, se gazi oksidol mund të ketë qenë shkaktare i vdekjes së katër personave gjatë operacioneve.

Kompania që po hetohet si shkaktare e vdekjeve në QKUK

Ministri i Shëndetësisë, Uran Ismaji ka deklaruar të mërkurën se Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, kanë ngritur dyshime se vdekja e pacientëve në QKUK, ka ardhur si shkak i gazit oksidol.

“Pjesa më e madhe e dyshimit është një lloj gazi i cili nga inspektorati ynë, thuhet se ka ardhur në QKUK nëpër mjet një operatori që ka pasur licencë për importim por jo për prodhim”, ka deklaruar Ismajli.

Katër persona kanë vdekur gjatë operimeve brenda 24 orëve në QKUK, gjatë javës së kaluar.

Kompania që e furnizon Qendrën Klinike Universitare të Kosovës me gazra medicinave tash e disa vite është “Bubeari Komerc” nga Kaçaniku, shkruan Insajderi.

Kjo kompani ka pasur kontratë dy vjecare me QKUK-në që nga viti 2014,  për furnizim me gazra medicinal.

Por në prill të këtij viti QKUK kishte shpallur fituese një kompani tjetër, “Messer GTM ” për furnizim me gazin oksidol me vlerën e kontratës prej 232 mijë e 791euro. Por lidhur me këtë vendim ishte ankuar “Bubeari Komerc”.

Gjykata e tenderëve (OSHP) i dha të drejtë ankesës së “Bubeari Komerc”, e cila pretendonte se QKUK kishte bërë një mori shkeljesh gjatë kësaj procedure, siç janë “ekonomiciteti dhe efikasiteti, barazia në trajtim ekzaminimi, vlerësimi dhe krahasimi i tenderëve etj”.

OSHP-ja me vendimin e 14 qershorit, detyroi QKUK-në të kthej në rivlerësim këtë tender, pasi që ishte konstatuar se nuk është respektuar kriteri kryesor për dhënien e kontratës, që ka qenë tenderi i përgjegjshëm me çmimin më të ulët, shkruan Insajderi.

Pas rivlerësimit të tenderit, me 21 qershor, është rekomanduar për kontratë kompania “Bubeari Komerc”.  Kundër këtij vendimi mandej është ankua kompania tjetër që fillimisht kishte qenë fituese “Messer GTM”, por OSHP pas dy ditësh kishte marrë vendimin që ankesa e saj ishte e pabazuar.

Gazeta ka provuar të marrë një koment nga pronari i kompanisë “Bubeari Komerc”, Naser Guri, por ai shkurt i ka thënë gazetës se ndodhet në polici dhe se nuk mund të deklarohet.

“Jam në polici nuk mund të flas tani. Ju kontaktoj më vonë”, tha ai.

Lidhur me këto raste drejtori i QKUK-së, Curr Gjocaj pati deklaruar për Insajderin se “ka mundur të ndodhë gjithçka”.

“Ne kemi bërë verifikimet se nga ka mundur të jetë fajtori. Kemi shikuar oksigjenimin e klinikave dhe nuk kemi gjetur që ka pasur diçka të parregullt. Kemi shikuar sistemin e anestizionimit dhe as aty nuk ka diçka jo të rregullt”, pati thënë Gjocaj.

Pas dyshimet e ngritur nga Inspektorët e Ministrisë së Shëndetësisë, Prokuroria dhe Policia kanë nisur hetimet.

Zyrtarja për Informim e Policisë së Kosovës për rajonin e Prishtinës, Florie Ahmeti tha se ky rast është duke u hetuar nga polica pas urdhrit të Prokurorisë Themelore, por se nuk mund të jap detaje më shumë./Insajderi.com