Akuzat kundër Molliqajt, për të cilat ministri Tahiri shprehet i gatshëm të dëshmojë

Akuzat kundër Molliqajt, për të cilat ministri Tahiri shprehet i gatshëm të dëshmojë

Ministri i ri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se ende askush nga prokuroria nuk e ka ftuar që të dëshojë për akuzat e tij publike ndaj deputetit të Vetëvendosjes, Dardan Molliqaj. Por, ministri i Drejtësisë është shprehur i gatshëm të dëshmojë në prokurori për akuzat që i ka bërë ndaj Molliqajt.

“Jo nuk më kanë ftuar deri më tani. Deklaratat e mia kanë qenë publike, jam në dispozicion të gjithë atyre që mendojnë që duhet të shtjellohet më tej kjo çështje”, ka deklaruar ai në një intervistë për emisionin “Betimi për Drejtësi”.

Një sërë akuzash i kishte bërë ministri Tahiri kundër deputetit Molliqaj. Nga organizimi i sulmit ndaj Kuvendit të Kosovës, deri tek shitja e lejeve të ndërtimit në Komunën e Prishtinës, janë akuzat që ministri i Drejtësisë i ka drejtuar Molliqajt.

Ministri i Drejtësisë: Jam i gatshëm të dëshmoj në prokurori kundër Molliqajt

Në muajin korrik të këtij viti, Tahiri shkruante në Facebook: “Ja disa prej krimeve për të cilat botërisht akuzohet ai: ‘Dardan Molliqaj është përgjegjës për organizimin e sulmit me zollë ndaj Kuvendit të Kosovës, akt ky terrorist dhe dhunim i sovranitetit të shtetit. Dardan Molliqaj është përgjegjës për vënien e bombës në RTK. Dardan Molliqaj është përgjegjës për organizimin e atentatit ndaj familjes së Drejtorit të RTK-së. Dardan Molliqaj është përgjegjës për korrupsionin dhe shitjen e lejeve të ndërtimit nga Komuna e Prishtinës’”.

Tahiri e akuzonte Molliqajn edhe për vënie haraçi dhe vepra të tjera ilegale. /Insajderi.com