Ministri i Drejtësisë: Jam i gatshëm të dëshmoj në prokurori kundër Molliqajt

Ministri i Drejtësisë: Jam i gatshëm të dëshmoj në prokurori kundër Molliqajt

Ministri i ri i Drejtësisë, Abelard Tahiri, ka thënë se ende askush nga Prokuroria nuk e ka ftuar që të dëshojë për akuzat e tij publike dhe konkrete ndaj deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Dardan Molliqaj.

“Jo nuk më kanë ftuar deri më tani. Qendrimi im dihet, publik ka qenë, nuk kam marr ndonjë ftesë deri më tani”, ka thënë ministri Tahiri.

I pyetur se a do t’i përgjigjet ftesës së prokurorisë, ministri Tahiri, ka thënë se mbi të gjitha ai është qytetar i Kosovës.

“Mbi të gjitha jam qytetar i Republikës së Kosovës, para se të jem ministër dhe para se të kem pozitë politike dhe normalisht çfarëdo ftese që do të marr nga Prokuroria apo policia apo kushdo të jetë, unë jam në dispozicion. Unë sot mbajë një pozicion të ri, si ministër i drejtësisë, nuk du të lëshohem në këtë çështje. Deklaratat e mia kanë qenë publike, jam në dispozicion të gjithë atyre që mendojnë që duhet të shtjellohet më tej kjo çështje”, ka deklaruar ai në një intervistë për emisionin “Betimi për Drejtësi”.

Ministri Tahiri, i cili është edhe anëtar i Kryesisë së PDK-së, ish-Këshilltar i Kryeministrit dhe Presidentit Thaçi, kishte akuzuar publikisht Dardan Molliqajn në një postim në Facebook, duke e quajtur “kriminel ordiner”, ndërsa kishte ngritur akuza të fuqishme edhe ndaj organeve të drejtësisë, të cilat sipas tij, përkundër dëshmive, kanë lënë të lirë Molliqajn.