Inspektori i veterinës në Pejë thotë se nuk e keqpërdori logon e komunës

Inspektori i veterinës në Pejë thotë se nuk e keqpërdori logon e komunës

Inspektori i veterinës në Pejë, Arbër Taraku, i ka thënë Insajderit se qëndron prapa deklarimeve të tij bërë në një llogari në Facebook.

Inspektori Taraku më 16 janar e kishte publikuar një deklaratë ku tërheqë vëmendjen për rrezikun që vjen nga konsumimi i produkteve të Serbisë.

Komuna e Pejës sot ka reaguar ndaj këtij rasti duke thënë se inspektori Arbër Taraku e ka keqpërdorë logon dhe emrin e komunës duke hapur llogari në rrejshme në rrjetin social facebook.

Komuna e Pejës shpreh shqetësimin e saj me këtë veprim të bërë nga persona të papërgjegjshëm, të cilët me gjenste të tilla të ulëta mundohen të manipulojnë për qëllime të caktuara me qytetarë”, thuhet më tej në njoftim.

Por, vetë inspektori Taraku nuk beson ta ketë keqpërdorur logon, pasi sipas tij, ai është punëtor i komunës.

“Unë s’e besoj që e kam keqpërdorë emblemën  e komunës, sepse jam aty, shërbej në Komunë”, ka thënë ai për Insajderin.

Ai ka thënë se emblema është e të gjithë qytetarëve dhe jo e partive politike.

“E para, emblema e komunës është e gjithë qytetarëve, jo e partive; e dyta, unë e ushtroj këtë profesion aty që 10 vite dhe jam i punësuar akoma aty; e treta, e vërtetë që jam i afërt me AAK. Po s’ka  lidhje këtu partia. Nuk është deklaratë politike kjo”, ka thënë për Insajderin inspektori veterinat i Komunës së Pejës, Arbër Taraku.

Megjithatë, ai thotë se qëndron prapa deklaratës që e ka publikuar.

“Ato që i kam shkru ju qëndroj mbrapa. E drejtë e çdo qytetari është të shprehet. Unë jam punëtor i komunës së Pejës. Dhe atë çka e kam shkru është shumë e vërtetë. Mitrovica ka shërby për kontrabandim të mallrave të cilat nuk janë kontrolluar asnjëherë. Ato mallra kanë qenë shumica serbe”, ka shtuar ai.

“Edhe zogjtë në degë e dinë se tregu i Kosovës është i mbushur me produkte të cilësisë së dyshimtë. Andaj kjo nuk është e panjohur për opinionin e gjerë të Kosovës. Kështu që, unë nuk ka thënë kurrgjë të re që nuk është e njohur.

Ai ka thënë se shqetësimi i njerëzve të komunës është jo i sinqertë dhe është brengë e rrejshme e njerëzve të pandërgjegjshëm.

Sipas tij, komuna është institucion i popullit e jo pronë e anëtarëve të partisë në pushtet. Mbrojtja e popullit nga e keqja, thotë ai, duhet të jetë brengë e përhershme e pushtetit, e jo e partive politike në pushtet, duke shtuar se përmendja e partisë në këtë kontekst është e pavend.

“Shtrohet pyetja se kënd po e mbron komuna dhe njerëzit e komunës – popullin apo produktet jocilësore të Serbisë?”, pyet inspektori Taraku. “Jam i vetëdijshëm për deklaratën time dhe i qëndroj mbrapa”, shtoi ai.

Trakau ka thënë se “le ta vlerëson populli deklaratën time sepse për popull e kam bërë, e jo servilat e partive të ndryshme”.

Për më tepër, burime të Gazetës Insajderi brenda komunës, kanë bërë të ditur se ndaj inspektorit Taraku kanë nisë procedurat disiplinore.

Komuna në njoftimin e sotëm, u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve të cilët hasin në llogari të tilla false, që të mos bëhen pre e tyre.

Pra, Ju qytetarë të nderuar të cilët hasni në këtë llogari të rrejshme në emër të Komunës së Pejës, e cila nuk i përket Komunës se Pejës mos bini pre e këtyre mashtrimeve dhe provokimeve, të cilat bëhen nga njerëz të pandershëm”, thuhej në njoftimin zyrtar të Komunës së Pejës./Insajderi.com