Haradinaj e mirëpret në Strasburg të dënuarin për mashtrim

Dymbëdhjetë ditë pas dënimit me burgim me kusht për mashtrim, Agim Shahini mori udhë nga Kosova për në Francë për ta nderuar Ramush Haradinajn. I dënuari për mashtrim u falënderua për këtë vizitë nga ana e Haradinajt.

Haradinaj e mirëpret në Strasburg të dënuarin për mashtrim

Një mysafir i veçantë e ka vizituar Ramush Haradinaj,  në Strasburg të Francës.

Agim Shahini, kreu i Aleancës Kosovare të Bizneseve, ka marrë udhë nga Kosova deri në Francë për ta nderuar liderin e AAK-së.

Por, njeriu që nderoi Haradinajn me vizitën e tij është dënuar për mashtrim para dymbëdhjetë ditësh.

Shahini është mysafiri i dytë i Haradinajt i cili ka probleme me ligjin. Një tjetër vizitor i tij kishte pasur probleme me zbatimin e ligjeve të shtetit amerikan. Tom Duhanit, që i qëndronte afër Haradinajt, kishte qenë i dënuar për fajde në SHBA.

Insajderi ka raportuar për vizitën e Duhanit tek Haradinaj, i cili gjendet në Francë. Ndërkaq, për takimin me Shahinin ka njoftuar sot Aleanca Kosovare e Bizneseve, nëpërmjet një kumtese për media.

Sipas njoftimit, Shahini ka vlerësuar se ndalimi i Haradinajt në Francë ndikon edhe në trembjen e investitorëve potencial.

“Ndalimi i juaj është mesazh i keq për Kosovën dhe investitorët që Kosovës i duhen në kontuinitet, e ky rast i ka zmbraps dhe i ka frikësuar ata se në Kosovë ende nuk është klimë e sigurt për investime”, citohet t’i ketë thënë Shahini, Haradinajt.

Agim Shahini me Haradinajn

Falënderues ndaj Shahinit ka qenë nikoqiri Ramush Haradinaj. Sipas njoftimit të AKB-së, Haradinaj citohet t’i ketë thënë delegacionit të AKB-së se “mbështetja e juaj, për mua është më shumë se shpirtërore”.

Shahini, i cili është falënderuar nga Haradinaj për mbështetje, në fillim të këtij muaji është dënuar nga Gjykata themelore e Mitrovicës, përkatësisht, dega në Vushtrri.

Ai është dënuar 18 muaj burgim me kusht.

Dënimi nuk do të ekzekutohet në afat prej 18 muajsh, nëse të Shahini nuk do të kryejë vepra tjera penale.

Sipas aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë, datë 09.02.2017, për të cilin raportoi Klan Kosova, të dy vëllezërit kanë dëmtuar qëllimshëm  Bankën TEB në Vushtrri në vlerë prej 250 mijë eurosh.

TEB banka kishte paditur Shahinin në Prokurorinë publike të Mitrovicës në vitin 2012 se ai bashkë me dy vëllezërit e kishin mashtruar bankën pasi që e kishin tjetërsuar pasurinë e kompanisë së tyre “Besarti Company” që e kishin lënë peng për të marrë një kredi në vlerë prej 250 mijë eurosh.

Derisa për mashtrim të TEB BANK është dënuar, Shahini akuzohet edhe nga një bankë tjetër, për mashtrim. Veçse shuma është dyfish më e madhe.

Prokuroria Themelore në Mitrovicë më 10 dhjetor 2013 nisi hetimet kundër Agim Shahinit për rastin e “Raiffeisen Bank”.

Granit Vokshi, avokat i Shahinit, i ka thënë Insajderit se ende nuk është mbajtur asnjë seancë gjyqësore në rastin e Raiffeisen kundër Shahinit.

Shahini më 25 shtator 2007 kishte marrë një kredi në vlerë prej 500 mijë eurosh në “Raiffeisen”.

Bazuar në dyshimet e prokurorisë, Shahini nuk e kishte paguar kredinë dhe dëmi ndaj bankës llogaritet të jetë në vlerë prej 548 mijë eurosh.

Shahini akuzohet edhe nga një bankë tjetër – mori 500 mijë euro nuk i ktheu kurrë