Mori kredi 250 mijë euro, tjetërsoi pronën në hipotekë

Mori kredi 250 mijë euro, tjetërsoi pronën në hipotekë

Afro 30 shoqata biznesi me mbi 9 mijë anëtarë nga e hëna e 13 shkurtit udhëhiqen nga një kryetar i dënuar për mashtrim të një biznesi, përkatëisht një banke në Kosovë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë, dega në Vushtrri ka dënuar me 18 muaj burg me kusht, kryetarin e Aleancës Kosovare të Biznesit, Agim Shahini.

AKB-ja është pjesë e trupave të përbashkëta qeveri-biznes që kanë për qëllim  përmirësimin e  mjedisit afarist në Kosovë.

Kjo organizatë është pjesë e Këshillit Ekonomiko-Social që vendos për pagën minimale në Kosovë dhe është pjesë e Këshillit Konsultativ që vendos për hartimin e ligjeve për mjedisin afarist.

Shahini sipas gjykatës, vendimin e së cilës e publikoi, Klan Kosova, është dënuar për mashtrimin e TEB Bankës.

Aktakuza e ngritur nga Prokuroria Publike e Qarkut në Mitrovicë më 9 mars të vitit 2012 thotë se Shahini dhe dy vëllezërit e tij, Bashkimi e Skënderi, kanë mashtruar Bankën “TEB”. Kjo aktakuzë është ngritur pas kallëzimit penal të bërë nga “TEB Bank”.

Të tre së bashku akuzohen se kanë dëmtuar qëllimshëm “TEB Bank”-ën duke tjetersuar pasurinë e kompanisë së tyre “Besarti Company” që e kishin lënë peng për të marrë një kredi në vlerë prej 250 mijë eurove.

Në aktakuzë tregohet se më 9 mars të vitit 2010 tre vëllezërit Shahini firmosën me degën e “TEB Bank” s në Vushtrri një marrëveshje në vlerë prej 250 mijë eurosh që përfshinte lejimin e mbitërheqjes (over-draft) deri në 150 mijë euro dhe lëshimin e një letërgarancioni në vlerë prej 100 mijë eurosh.

Agim e Skënder Shahini kanë qenë bashkë-kredimarrës, ndërsa kredimarrës ka qenë Bashkim Shahini .

Ata akuzohen për veprat penale-mashtrim, dëmtim i personit tjetër dhe dëmtim i kreditorëve.

Letërgarancioni i lëshohet një firme private për nevoja të konkurrimit në tenderë apo nevoja të partneritetit me një kompani të madhe ndërkombëtare.

“Besarti Company” dhe “Agrana Studen” me seli në Vjenë kishin nënshkruar kontratë më 11 mars të vitit 2010, bazuar në aktakuzën e ngritur nga prokuroria.

Por më pas kompania austriake kishte kërkuar që t’i paguheshin 100 mijë euro në xhirollogarinë e saj.
Kërkuesit e letërgarancionit (Agrana Studen) kanë të drejtë ta konfiskojnë atë në rast se firma (Besarti Company) së cilës i është kërkuar kjo nuk arrin të përmbushë obligimet e saj kontraktuale.
Bazuar në aktakuzë TEB-i kishte ekzekutuar kërkesën e kompanisë austriake duke i transferuar 100 mijë eurot.

Banka, më pas,  kishte kërkuar nga “Besarti Company” që të kthente 100 mijë euro në bankë.
Pasi që firma nga Vushtrria nuk kishte arritur të paguante borxhin, zyrtarët e bankës kishin vendosur të konfiskonin pasurinë e lënë peng nga tre vëllëzërit Shahini. Kishin dalë në terren për ta bërë këtë.

“Mirëpo në vend të pronarit të vërtetë të kompanisë “Besarti Company” , është paraqitur Arsim Shahini duke thënë se këtu keni ardhur ne vendin e gabuar ngase këtu është kompania ‘Sucrakos’”, thuhet në aktakuzë.

Në aktakuzë thuhet se vëllezërit Shahini e  kanë bartur mallin e firmës “Besarti Company” dhe asetet e tjera të kësaj kompanie të lëna peng në bankë te kompania “Sucrakos”, në pronësi të Arsim Shahinit, një familjar i Agim Shahinit.

Në aktakuzë figuron edhe deklarata e Agim Shahinit dhënë hetuesve policorë.

Ai kishte thënë para hetuesve se ishte vëllai i tij Bashkimi që kishte kërkuar nga TEB-i ristrukurimin e borxhit dhe se një marrëveshje ishte arritur.

Por, sipas tij, kur Bashkim Shahini kishte shkuar në bankë për t’i rregulluar dokumentet, i është thënë se marrëveshje nuk ka dhe se borxhi duhet të kthehet komplet.

“Kompania ‘Besarti Company’ nuk ka pasë mundësi të kthejë borxhin menjëherë sipas kërkesës së bankës”, kishte thënë Shahini.

Ndërkaq, sipas aktakuzës, Skënder e Bashkim Shahini nuk e kishin parë të nevojshme të deklaroheshin me arsyetimin se po e presin marrjen e vendimit nga gjykata.

Ndërkohë Ismet Ujkani, prokurori që ngriti aktakuzën, tha se nuk e di se pse ende nuk ka nisur procesi gjyqësor që prej ngritjes së aktakuzës në mars të vitit 2012.

“Unë nuk mund të them asgjë lidhur me aktakuzën. Gjykata e di se kur do të nisë procesi gjyqësor”, kishte thënë Ujkani për Gazetën Jeta në Kosovë.

Gjykata Themelore në Mitrovicë ende nuk ka dhënë përgjigje se kur do të nisë procesi gjyqësor lidhur  me këtë aktakuzë.