Edhe Haxhiu thotë se nuk ka marrë ftesë nga gjykata

Edhe Haxhiu thotë se nuk ka marrë ftesë nga gjykata

Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, i cili sot së bashku me kryetarin e Kuvendi Kadri Veselin dhe disa deputetë të tjerë u dënuan nga gjykata pasi munguan në një seancë kundër deputetëve opozitarë, të cilët kishin hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, thotë të mos jetë ftuar nga gjykata për këtë rast.

Sipas reagimit të Haxhiut në llogarinë e tij në Facebook, ai është njoftuar vetëm sot përmes medieve se qenka dëshmitar në këtë proces gjyqësor.

“Sot nëpërmjet medieve u njoftova se qenkam dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj deputetit Albin Kurti dhe se Gjykata Themelore në Prishtinë më paska shqiptuar masë ndëshkuese prej 200 Euro, në cilësinë e dëshmitarit për mos respektim të ftesës së Gjykatës”, ka shkruar Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se ai nuk ka pranuar asnjë ftesë nga Gjykata Themelore e Prishtinës për rastin në fjalë pasi sipas tij po ta merrte një ftesë të tillë do të i përgjigjej.

“Me përgjegjësi të lartë deklaroj se unë nuk kam pranuar asnjë ftesë, thirrje apo njoftim nga Gjykata Themelore e Prishtinës për rastin në fjalë. Sepse po ta pranoja një ftesë të tillë, sigurisht se do t’i përgjigjesha ftesës së Gjykatës”, ka thënë Haxhiu.

Haxhiu ka kërkuar nga Gjykata ta dëshmoj pranimin e ftesës nga ana e tij në cilësin e dëshmitarit.

Në lidhje me të njëjtin rast edhe nënkryetari i kuvendit, Xhavit Haliti, ka thënë se ai nuk ka pranuar asnjë ftesë nga Gjykata Themelore në Prishtinë në lidhje me këtë rast.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nënkryetari Xhavit Haliti dhe deputetët Bekim Haxhiu, Naser Osmani, Armend Zemaj dhe punëtorët e administratës Shpresa Gosalci e Leonora Halimaj janë dënuar me nga 200 euro gjobë nga Gjykata Themelore./Insajderi.com