Haliti: Nuk e dija që jam dëshmitar kundër deputetëve opozitarë

Haliti: Nuk e dija që jam dëshmitar kundër deputetëve opozitarë

Deputeti i PDK-së, Xhavit Haliti, i cili sot së bashku me kryetarin e Kuvendi Kadri Veselin dhe disa deputetë të tjerë u dënuan nga gjykata pasi kanë munguar në një seancë kundër deputetëve opozitarë, të cilët kanë hedhur gaz lotsjellës në Kuvend, thotë të mos jetë ftuar nga gjykata për këtë rast.

Përmes një reagimi, Haliti thotë se ka mësuar lajmin se është dëshmitar vetëm përmes medieve.

“Sot, mora lajmin nëpërmjet mediave se qenkam dëshmitar në procesin gjyqësor që po zhvillohet ndaj Albin Kurtit. Gjithashtu edhe për dënimin e shqiptuar ndaj meje prej 200 eurosh për mospjesëmarrje për të dëshmuar për këtë rast në gjykatë. Hajde gjykatës Kalludra hajde!”, ka thënë Haliti.

“Po si të vij dëshmitar pa u njoftuar asnjëherë që jam dëshmitar, pa më dërguar ftesë asnjëherë, apo u dashka që për kapriçot tuaja të shqiptoni dënime komprometuese duke keqpërdorur ligjin? Për hir të opinionit dhe jo për ndonjë shqetësim tjetër dua të njoftoj se: nga gjykata s’kam marrë asnjë herë njoftim as thirrje për të qenë dëshmitar”.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, nënkryetari Xhavit Haliti dhe deputetët Bekim Haxhiu, Naser Osmani, Armend Zemaj dhe punëtorët e administratës Shpresa Gosalci e Leonora Halimaj janë dënuar me nga 200 euro gjobë nga Gjykata Themelore.

Të dënuarit kanë marrë këtë gjobë pasi kanë munguar në seancat gjyqësore ndaj deputetëve që lëshuan gazë lotsjellës në seancat e Kuvendit të Kosovës gjatë vitit të kaluar.