Deputeti i VV pyet AAK-në: Çka i premtove Listës Serbe në këmbim të mbështetjes

Deputeti i VV pyet AAK-në: Çka i premtove Listës Serbe në këmbim të mbështetjes

Nuk i ka mjaftuar fjalimi në seancën e Kuvendit për të drejtuar akuza ndaj koalicionit PAN, me theks të veçantë ndaj kandidatit për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Frashër Krasniqi, ka vazhduar me deklarata e pyetje ndaj subjektit politik, AAK, duke kërkuar prej saj të tregojë se çfarë i premtoi Listës Serbe në këmbim të mbështetjes që ajo po i jep për formimin e Qeverisë.

“Mbase njëmend AAK nuk na e solli Listën Srpska në Kuvend (atë e sollën partnerët e saj të koalicionit të krimit). Por AAK pat kërkuar në fillim të këtij viti që Lista Srpska të shpallet nongrata dhe të përjashtohet nga Qeveria. Çka ndodhi tash që u bënë bashkë?!”, ka shkruar deputeti Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.

“Në vend që me bë deklarata qesharake dhe me shpifje, le t’na tregon AAK së çka i premtoi Listës Srpska për mbështetjen që po ua jep?!”, ka pyetur ai.

Gjatë seancës së sotme konstitutive të Kuvendit, deputeti Krasniqi ka thënë se koalicioni PAN është në gjendje të takohet me kriminelë serbë, siç është Milan Radojiçiq, vetëm për ta siguruar krimin e qeverisë.

Në këtë drejtim, deputeti Krasniqi ka folur edhe për Ukë Rugovën, djalin e presidentit Ibrahim Rugova, duke thënë se PAN-i nuk e ka telashe të takohet edhe me njerëz si ai, ndaj të cilit rëndojnë akuza të rënda.

Por AAK-ja nuk ka hezituar t’u përgjigjet akuzave të deputetit Krasniqi, duke i quajtur deputetët e Vetëvendosjes si neokomunistë.

“Listën Serbe“, nuk ua sollëm ne! Atë e gjetëm në mesin tuaj, dhe ju neokomunistët e këtij vendi, mos u thirrni në patriotizëm, sepse patriotizmi pa akte patriotike, që juve u kanë munguar gjithmonë, mund të jetë vetëm strehë horrash!”, thuhet në reagimin e AAK-së./Insajderi.com