30 ditë paraburgim avokatit që dyshohet të ketë kërkuar 40 mijë euro ryshfet

30 ditë paraburgim avokatit që dyshohet të ketë kërkuar 40 mijë euro ryshfet

Gjykata Themelore në Prishtinë ka vendosur masën e paraburgimit prej 30 ditësh për avokatin, Haxhi Çekaj i cili dyshohet se ka keqpërdorur pozitën zyrtare dhe ka mashtruar një klient të tij.

Insajderi ka kuptuar nga burimet e veta se Çekaj kishte kërkuar një klienti 12 mijë euro gjoja se i duhen për të kryer një ekspertizë si dhe 40 mijë euro të tjera për t’i dhënë ryshfet gjyqtarëve në mënyrë që klienti i tij të shpallet i pafajshëm.

Çekaj është avokat i mirënjohur nga Peja ndërsa rasti për të cilit është arrestuar ka të bëjë me një vrasje.

Dje Policia e Kosovës kishte arrestuar avokatin rreth orës 13:10.

“Zyrtarë Policor  nga Departamenti Special Antikorrupsion, kanë zbatuar Urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore Prishtinë-Departamenti për Krime te Renda, për Simulimin e Veprës se Korrupsionit, gjegjësisht veprës: Mashtrim sipas nenit 335 të KPK-së dhe Keqpërdorim i pozitës dhe autoritetit”, kishte thënë Daut Hoxhaj, zëdhënës i Policisë së Kosovës./Insajderi.com