Zyrtarizimi i shqipes në Maqedoni komplikohet ende pa u miratuar si ligj

01.08.2017 19:05
Zyrtarizimi i shqipes në Maqedoni komplikohet ende pa u miratuar si ligj

Gjuha shqipe ishte në rend të ditës në seancën e mbrëmshme të qeverisë, por ministrat vendosën që ligji për gjuhët të mund të vendoset në rend të ditës edhe në ndonjë tjetër seancë.

Edhe pse zëvendëskryeministri, Bujar Osmani, paralajmëroi se ky ligj mund të kalojë në qeveri, kjo nuk ndodhi. Në kumtesën e lëshuar nga qeveria, thuhet se duhet të përcaktohen kompetencat që do ti kenë të dy organet që do të formohen, Agjencia për Përdorimin e Gjuhëve dhe Inspektorati për Përdorimin e Gjuhëve.

TV21 kërkoi përgjigje nga dy zëvendëskryeministrat, Bujar Osmani dhe Hazbi Lika, se a do të thotë kjo që ka problem në interpretimin e ligjit në mes partnerëve të koalicionit, por përgjigje nuk pati.

Përveç sekretariatit për Implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, dhe sekretariatit për Euro-Integrime, institucion tjetër përgjegjës për miratimin e ndryshimeve në ligjin për përdorimin e gjuhëve është edhe Ministria e Drejtësisë.

Ministri Bylent Osmani, në përgjigjen me shkrim, tha se nuk ka asnjë mosmarrëveshje mes partnereve të koalicionit, por vetëm po precizohen detajet me organet që do të formohen.

Lëvizja Besa paralajmëron se do të propozoj ligj për përdorimin e gjuhës shqipe, nëse këtë nuk e bën garnitura qeverisëse në 100 ditshin e parë.

“Në lidhje me Ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe, që mbrëmë nuk ka kaluar në qeveri, sot detyrimisht duhet t’i shtrojmë disa pyetje: A i bie kjo se ata kanë hyrë në qeveri pa asnjë marrëveshje, pra as për gjuhën shqipe?”, u shpreh Zeqiria Ibrahimi.

Deputeti i Lëvizjes Besa, Ibrahimi, tha se shumica nuk duhet të pres mendimin e Komisionit të Venedikut, dhe se është më e rëndësishme që ligji të miratohet me konsensus në kuvend.

Sipas planit për reforma urgjente ndryshimet  ligjore duhet të realizohen deri në fund të muajit gusht.