Zyrtari i lartë i NATO-s: Transformimi i FSK-së, përmes ndryshimeve kushtetuese

Zyrtari i lartë i NATO-s: Transformimi i FSK-së, përmes ndryshimeve kushtetuese

Ministri në detyrë i FSK-së, Haki Demolli priti në takim pune zëvendës ndihmësin e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, John Manza.

Demolli shprehu falënderimet për përkrahjen e vazhdueshme që NATO po i jep MFSK-së dhe FSK-së përmes ekipit Këshillues Ndërlidhës të NATO-s (NALT).

Ai po ashtu me këtë rast falënderoi Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg, për letrën që i ka dërguar kryeministrit të Kosovës Isa Mustafa, ku janë identifikuar mundësitë e thellimit të bashkëpunimit, e ku synohet që të arrihet partneriteti i bashkëpunimit në mes Kosovës dhe NATO-s në fushën e sigurisë.

Demolli theksoi bashkëpunimin e mirë me vendet e regjionit, me ushtritë e vendeve mike, veçanërisht me Gardën kombëtare të Ajovës dhe bashkëpunimin e mirë me KFOR-in përmes ushtrimeve të përbashkëta.

Temë me rëndësi ishte ajo transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura të Kosovës, ku ministri Demolli ritheksoi se janë të bindur, se vetëm përmes ndryshimeve kushtetuese duhet të bëhet ky ndryshim.

Në fjalën e tij, Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama, foli për përgatitjet dhe planifikimin e ushtrimit Fushor “Shqiponja – 6” që do të mbahet në tetor, ku do të jenë pjesëmarrës ushtritë e më shumë se 10 shteteve.

Ai foli për aktivitet konkrete që janë bërë për integrimin e komuniteteve pakicë në FSK e veçanërisht të komunitetit serb, pa ulur asnjëherë kriteret që ka FSK-ja.

Rama theksoi se transformimi i FSK-së po e pret vendimin politik, por është me rëndësi të thuhet se ne po punojmë shumë që të jemi gati për atë ditë dhe për këtë kemi kryer përgatitjet e nevojshme si dhe planifikimet afatmesme dhe afatgjata.

John Manza nga ana e tij shprehu kënaqësinë për arritjet dhe kualitetin e lartë të FSK-së.

Ai u shpreh se letra e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Stoltenberg, është dëshmi e përkrahjes që NATO i jep FSK-së. Po ashtu ai vlerësoi lart punën e mirë dhe rezultatet konkrete për integrimin e komuniteteve pakicë në FSK. Ndër të tjera në takim Manza theksoi se, transformimi i FSK-së duhet të bëhet përmes ndryshimeve kushtetuese dhe të mos jetë proces i ngutshëm por ecje me hapa të sigurt.