Zyrtari i dënuar i Ministrisë së Brendshme – punoi në favorin e tezakut të tij dhe dy valltareve nga Shqipëria

Një zyrtar i lartë në Ministrinë e Punëve të Brendshme kishte insistuar tek kapiteni policor në rajonin e Prizrenit, Fadil Rexhepi, që t'ia kthente pasaportat dy valltareve nga Shqipëria që po qëndronin jashtëligjshëm në Kosovë në vitin 2014. Kushtrim Krasniqi, i cili punonte në Zyrën për Migrim dhe të Huaj, shprehet i penduar për veprimet që ka kryer. Thotë se ato i kishte bërë për t'i dalë në ndihmë tezakut të tij. Insajderi ka zbuluar rastin që nuk është bërë publik tash e tri vite

Zyrtari i dënuar i Ministrisë së Brendshme – punoi në favorin e tezakut të tij dhe dy valltareve nga Shqipëria

Kushtrim Krasniqi vazhdon të punojë në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në kuadër të Sekretariatit për Strategji të kësaj ministrie, edhe pse tri vjet më parë ishte dënuar me 5 muaj burgim me kusht për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe autoritetit zyrtar.

Zyrtari i lartë i MPB-së, i cili asokohe punonte në si Kryesues i Komisionit për Migrim dhe të Huaj, ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prizren pasi kishte ndërhyrë në punët e Policisë së Kosovës. I kishte kërkuar kapitenit policor Fadil Rexhepit që t’ia kishte kthente pasaportat dy grave të punësuara në “Matrix M” – lokalin të cilin policia e kishte sekuestruar nën dyshimin për prostitucion.

Përveç dënimit të formës së prerë me pesë muaj burgim me kusht, Gjykata Themelore në Prizren i kishte shqiptuar Kushtrim Krasniqit gjobë prej 4 mijë eurove. Në Gjykatë, ai e kishte pranuar fajësinë.

“Kushtrim Krasniqi është fajtor sepse si person zyrtar në MPB – Departamenti për Shtetësi, Azil dhe Migracion, duke shfrytëzuar detyrën apo autoritetin zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim që të përfitoi çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër duke shkelur ligjin me dashje lidhur me detyrat dhe punësimin e zyrtarit”, theksohet në vendimin e Gjykatës, të cilin e ka siguruar Insajderi.

Në vendimin e Gjykatës thuhet se 33-vjeçari, zyrtar i MPB-së, më 20 nëntor të vitit 2014 kishte kontaktuar kapitenin policor Fadil Rexhepin dhe i kishte kërkuar atij që t’ia kthente pasaportën punëtores së lokalit ku dyshohej se zhvillohej prostitucion në Prizren, “Matrix M”.

“Në atë mënyrë që më datën 20.11.2014 ka kontaktuar kapitenin policor Fadil Rexhepi, i cili në atë kohë ka punuar në Drejtorinë për migrim dhe të huaj në Policinë Kufitare të Kosovës dhe nga i njëjti ka kërkuar që ish-punëtores në lokalin ‘Matrix M’, Aurora Kola, të ia kthejë pasaportën që ia ka marrë policia një ditë më parë gjatë inspektimit të lokalit ‘Matrix M’ dhe i njëjti është kthyer”, thuhet në vendimin e Gjykatës.

Por, Krasniqi nuk ishte ndalur me kaq. Ai i kishte ndërhyrë sërish në një rast të ngjashëm Policisë së Kosovës. Kishte zhvilluar pothuajse të njëjtat veprime dhe kishte kontaktuar me të njëjtin zyrtar policor.

“Kurse pas inspektimit të lokalit në fjalë më datë 28.01.2015 i akuzuari përsëri ka kontaktuar të njëjtin kapiten policor që t’i ndihmojë në mënyrë të kundërligjshme që Amarilda Mara, e cila po ashtu ka punuar në këtë lokal, të mos ndëshkohet nga ana e zyrtarëve policor dhe të ia kthejë dokumentet personale me ç’rast ia ka arritur”, thuhet në vendim.

Trupi Gjykues në Gjykatën Themelore të Prizrenit, me kryesuese gjyqtaren Ajsere Skenderi, kishte dënuar Kushtrim Krasniqin me pesë muaj burgim me kusht. Aktgjykimi i formës së prerë ishte dhënë më 5 maj të vitit 2015.

“Ashtu që Gjykata ia cakton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 5 muajve, i cili dënim me burgim nuk do të ekzekutohet nëse në afatin e verifikimit prej një viti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale”, thuhet në akgjykimin e Gjykatës Themelore të Prizrenit.

Zyrtari i MPB-së thotë se është penduar: Desha t’i ndihmoja tezakut tim

Kushtrim Krasniqi thotë se është penduar për veprimet që e shtynë Gjykatën Themelore të Prizrenit ta dënojnë atë për 5 muaj burgim me kusht.

Ndonëse thotë se kishte asistuar për t’iu kthyer pasaportat dy valltareve që punonin pa leje qëndrimi në klubin “Matrix M” në Prizren, Krasniqi shprehet për Insajderin se këto veprime i kishte kryer për t’i ndihmuar tezakut të tij, i cili ishte pronar i klubit “Matrix M”.

“Unë vetëm kam dashur t’i ndihmoj tezakut tim. Nuk jam përfshirë asnjëherë në marrje të ryshfetit. Madje edhe në këtë rast vepra penale nuk ka qenë për marrje të ryshfetit, por për keqpërdorim të detyrës zyrtare”, thotë Krasniqi, i cili ende punon në Ministrinë e Brendshme.

Krasniqi thotë se dy valltaret nga Shqipëria nuk i ka njohur kurrë më parë dhe se më vonë kishte mësuar se dy vajzat kishin aplikuar për leje qëndrimi në Kosovë. Ato ishin në procedurë për marrje të lejës së qëndrimit, raporton Gazeta Online Insajderi.

“Dy vajzat nuk i kam njohur kurrë. Madje as nuk e di se ku ndodhet lokali i tezakut tim; kështu i kam thënë edhe gjyqtarit”, rrëfen Krasniqi për Insajderin.

Ai thotë se kurrë më parë nuk është përfshirë në keqpërdorime, edhe pse kishte mbajtur për disa vite pozitën e Kryesuesit të Komisionit për Migrim dhe të Huaj.

Ministria e Punëve të Brendshme nuk ka dashur të komentojë faktin se zyrtari i saj është përfshirë në keqpërdorim të detyrës dhe autoritetit zyrtar, kur ia ktheu jashtëligjshëm dy pasaportat valltareve nga Shqipëria.

Insajderi ka dërguar pyetje në Zyrën për Informim të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por kur kanë kaluar gati tri ditë e zyrtarë të ministrisë kanë qëndruar në heshtje. Ministria ka refuzuar të përgjigjet në lidhje me atë se a përbën problem për institucionin fakti që një zyrtar i lartë i saj është dënuar nga Gjykata. /Insajderi.com