Zyrtari amerikan nuk takohet me presidentin dhe kryeministrin

Zyrtari amerikan nuk takohet me presidentin dhe kryeministrin

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i Shtetit për çështjet evropiane dhe euro-aziatike, Hoyt Yee, do ta vizitojë sot Kosovën.

Bazuar në agjendën e Ambasadës Amerikane në Kosovë, ky zyrtar i lartë amerikan nuk ka paraparë të takohet me presidentin e vendit, Hashim Thaçi.

Ndaj iniciativës së presidentit për transformimin e FSK-së përmes ligjit kishte reaguar ambasada amerikane, Sekretari i NATO-s dhe disa shtete përkrahëse të Kosovës.

“Kjo nuk është ajo se si ne e parashikuam se do të ndodhë procesi. Kjo me të vërtetë nuk e pasqyron përmbajtjen e diskutimeve që ne kemi pasur me zyrtarët e Qeverisë së Kosovës në të kaluarën e afërt”, kishte deklaruar ambasadori amerikan në Kosovë, Dreg Delawie në një intervistë ekskluzive për Insajderin.

Por Hoyt Yee nuk do ta takojë as kryeministrin Isa Mustafa, edhe pse ai kohëve të fundit vazhdimisht ka deklaruar se ushtria nuk mund të bëhet pa koordinim me ShBA-në dhe NATO-n.

“Problemin e ushtrisë do ta zgjidhim, por këtë do ta bëjmë në koordinim me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n”, kishte thënë kryeministri Mustafa.

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan në agjendë ka paraparë të takohet me kryetarin e Kuvendit, Kadri Veseli, ministren për Dialog, Edita Tahiri, ministrin e FSK-së, Haki Demolli, me komandantin e FSK-së, Rrahman Rama.

Gjithashtu ai ka paraparë që të takohet edhe me kryetarin e Listës Serbe, Sllavko Simiq dhe me deputetin e saj, Branimir Stojanoviq./Insajderi.com