Zyrtarët e BE-së ashpërsojnë gjuhën ndaj Turqisë

15.03.2017 10:43
Zyrtarët e BE-së ashpërsojnë gjuhën ndaj Turqisë

Akuzat e Turqisë për fashizëm në Holandë janë “plotësisht të shkëputura nga realiteti”, ka thënë sot presidenti i Këshillit Evropian, Donald Tusk.

Deklaratat e Turqisë erdhën pasi Holanda anuloi disa tubime të politikanëve turq në Roterdam, të cilat ishin organizuar për të fituar mbështetjen e komunitetit turk në Holandë për referendumin për zgjerimin e kompetencave të presidentit Recep Tayyip Erdogan.

“Qyteti i Roterdamit dhe Erasmusit, janë shkatërruar plotësisht nga nazistët. Nëse dikush mendon se sheh fashizëm në Roterdam, ata janë të shkëputur plotësisht nga realiteti”, ka thënë Tusk gjatë seancës plenare të Parlamentit Evropian, shkruan REL.

Edhe presidenti i Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker, ka thënë në parlament se është “skandalizuar” nga komentet e Turqisë.