Zyrtare: Peugeot blen kompaninë e makinave, Opel

06.03.2017 20:11
Zyrtare: Peugeot blen kompaninë e makinave, Opel

Lajmi i shumëpritur ka ardhur: grupi francez PSA, që zotëron Peugeot dhe Citroen, ka blerë për 2.2 miliardë euro degën europiane të General Motors, që përfshin markat Opel dhe Vauxhall.

Operacioni i jep jetë kështu prodhuesit të dytë të automobilave në kontinentin e vjetër, pas Volkswagen e duke lënë pas Renault-Nissan.

Në një komunikatë, kompania franceze ka bërë të ditur se ka blerë edhe operacionet financiare të General Motors në Europë, kjo edhe falë një marrëveshje me BNP Paribas.

Marrëveshja është arritur pas tre javësh negociata dhe çon në lindjen e një grupi prej 4.3 milionë automjetesh, prej të cilave, 3 milionë në Europë. Grupi francez mendon të kursejë deri në 2 miliardë euro, falë ndarjes së teknologjisë, kanaleve tregtare dhe projekteve të zhvillimit. Janë ndërkohë 38 mijë punonjësit e Opelit në shtatë vende, ndërsa PSA ka 184 mijë punonjës në Francë.