Zyrtare: Pesë shqiptarë të lënduar nga tërmeti në Itali

Zyrtare: Pesë shqiptarë të lënduar nga tërmeti në Itali

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka njoftuar se nga tërmeti shkatërrimtar që goditi Italinë kanë mbetur të plagosur 5 shtetas shqiptarë.

Personeli i Ambasadës Shqiptare në Romë ka bërë me dije se këta shtetas janë kuruar në spitalin “Gemelli” dhe janë jashtë rrezikut për jetën, njofton televizioni Top Channel.

Tërmeti prej 6,2 ballësh dërrmoi zonat rurale në afërsi të Peruxhës. Mediat italiane raportojnë për të paktën 37 viktima dhe më shumë se 100 të humbur, ndërsa vazhdojnë që prej orësh operacionet frenetike për të gjetur të mbijetuar nën rrënojat e ndërtesave të shumta të shembura.

Tërmeti goditi në orën 03:36 të mëngjesit 76 km në juglindje të Peruxhës me epiqendër në fshatin Akumoli. Lëkundja e parë dhe më e fuqishme u pasua nga disa të tjera prej 3,8 dhe 3,9 ballësh, duke shtuar panikun mes mijëra njerëzve që kishin mbushur rrugët e qytezave dhe fshatrave.

Mësohet se situata më dramtike është në fshatin Amatriçe, ku kryebashkiaku tha se treçereku i tij është shkatërruar. Agjensia italiane e Mbrojtes Civile e cilësoi krizën si shumë të rëndë, ndërsa vijojnë operacionet e kërkimit dhe shpëtimit në shumë zona të dëmtuara. Raportohet se disa njerëz janë nxjerrë të gjallë nga ndërtesat e shembura, mes tyre edhe një fëmijë, ndërsa ekipet e kërkimit të ndihmuar nga banorët kanë gërmuar edhe me duar mes rrënojave që dikur ishin banesa.