Zyrtare: De Biasi jep dorëheqje nga kuqezinjtë

Zyrtare: De Biasi jep dorëheqje nga kuqezinjtë

Trajneri Xhani De Biasi ka dhënë sot dorëheqjen nga drejtimi i kombëtares shqiptare të futbollit. Pas njoftimit të djeshëm se nuk do të rinovonte kontratën në fund të edicionit, sot italiani ka dalë në një konferencë për shtyp bashkë me presidentin e FSHF-së, Armand Duka, duke bërë me dije mbylljen e bashkëpunimit që në këtë moment.

“Përshëndetje, kjo është një fletë e eksperiencës sime në Shqipëri që nuk do doja asnjëherë të shkruaja. Kam menduar dhe medituar gjatë dhe ju them se nga sot nuk jam më trajneri i kombëtares sonë”.

“Ndalem këtu sepse dua të mendoj për të mirën dhe rritjen e skuadrës. Mendoj se e kam bërë detyrën që më ka lejuar mua të nxjerr nga ky ekip më të mirën”, shkruan De Biasi në letrën e tij të dorëheqjes.

Deri në përfundim të eliminatoreve ka ende disa ndeshje për të luajtur, por De Biasi do të mbahet mend si trajneri më i suksesshëm në krye të Shqipërisë, si një ndër protagonistët e kualifikimit historik të skuadrës tonë në një kompeticion madhor, siç ishte ai i qershorit të vitit të kaluar në Evropianin francez.

Periudha më e errët e De Biasit në krye të kuqezinjve ishin pesë ndeshjet zyrtare dhe miqësore para përballjes me Izraelin, që të pesta të humbura.