Zyrtare: Besnik Hasi nuk është më trajner i Legia Warsaw

Trajneri shqiptar, Besnik Hasi është shkarkuar nga detyra e trajnerit nga skuadra e madhe polake Legia Warsaw, vetëm dy muaj pasi e mori drejtimin e skuadrës.

Zyrtare: Besnik Hasi nuk është më trajner i Legia Warsaw

Lajmin për shkarkimin nga detyra të ish-trajnerit të Anderlechtit e ka konfirmuar klubi i Legias përmes një komunikate zyrtare. Ata thonë se shkarkimi erdhi si pasojë e rezultateve të dobëta të trajnerit shqiptar.

Hasi nuk arriti të evitojë humbjen e dytë në kampionat ditën e sotme, teksa skuadra e tij u mund nga Zaglebie Lubin 3-2 në shtëpi.

Legia e Hasit u “turpërua” të martën edhe nga skuadra e madhe gjermane Dortmund, pasi u mund po ashtu në shtëpi  me rezultat 6-0. Merita e vetme e Hasit në këtë aventurë të shkurtër tek gjiganti polak, mbetet kualifikimi në Ligën e Kampionëve pas 20 viteve mungesë, përmes fazës “play-off”.

Siç raportojnë mediet polake, nga dita e nesërme, stërvitjet dhe ushtrimet e klubit do të udhëhiqen përkohësisht nga ndihmëstrajneri Aleksandar Vukoviq. /Insajderi.com