Zyra e BE-së dhe EULEX-i vërejtje rreth përzgjedhjes së kryetarëve të Supremes dhe Apelit

Zyra e BE-së dhe EULEX-i vërejtje rreth përzgjedhjes së kryetarëve të Supremes dhe Apelit

Pas përsëritjes së fundit të procesit të votimit për kryetarët e Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit nga ana e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, ka reaguar Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë/Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian dhe EULEX-i.

Gjykata Kushtetuese, e cila anuloi procesin e mëparshëm të përzgjedhjes, konstatoi se mekanizmi i aplikuar nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës për të nominuar një kandidat për postin e kryetarit të Gjykatës Supreme dhe kryetarit të Gjykatës së Apelit, nuk ka garantuar mjaftueshëm një proces të barabartë, të hapur dhe të bazuar në merita.

“Për të adresuar shqetësimet e Gjykatës Kushtetuese, BE-ja së bashku me partnerë të tjerë ka punuar me Këshillin Gjyqësor të Kosovës për të avancuar procedurën e përzgjedhjes dhe në këtë drejtim mirëpret përmirësimet e bëra në legjislacionin përkatës të Këshillit”, thuhet në deklaratë.

“Megjithatë, nga vëzhgimi i procesit të përzgjedhjes, BE-ja për fat të keq ka vërejtur se përzgjedhja e kryetarëve të Gjykatës Supreme dhe Gjykatës së Apelit nuk u parapri nga një diskutim substancial mbi përshtatshmërinë e kandidatëve për pozitën, përderisa arsyetimit të vendimeve të përzgjedhjes nga ana e Këshillit i mungojnë argumentet bindëse. Ne theksojmë se shqetësimet tona kanë të bëjnë vetëm me procesin e përzgjedhjes, pavarësisht nga kandidatët e përzgjedhur”, thuhet në deklaratë.

Sipas deklartës, një gjyqësor i pavarur, i hapur, përgjegjshëm dhe efikas, i lire nga ndërhyrjet politike është ajo për të cilën njerëzit e Kosovës kanë nevojëdhe e presin nga udhëheqësit e tyre. Kjo është në interes të popullit të Kosovës dhe një parakusht kyç përpërparimin e Kosovës në rrugën evropiane.

Zyra e Bashkimit Evropian/Përfaqësuesja e Posaçme e Bashkimit Evropian në Kosovë dhe EULEX-i zotohen se do të vazhdojnë t’i ndjekin këto procese nga afër dhe mbeten të angazhuar për të investuar burime të rëndësishme për të ndihmuar Kosovën në forcimin e sundimit të ligjit.