Zyra e BE-së: Afrimi i Kosovës drejt BE-së varet nga sundimi i ligjit

Zyra e BE-së: Afrimi i Kosovës drejt BE-së varet nga sundimi i ligjit

Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë përmes një njoftimi ka bërë të qartë se rruga e Kosovës drejt BE-së varet nga sundimi i ligjit, por edhe zbatimi reformave tjera.

“Kosova ka një perspektivë evropiane. Por ritmi i afrimit të Kosovës me BE-në varet qartë nga ritmi më të cilin ajo i zbaton reformat në të gjitha fushat përkatëse, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore”, thuhet në njoftimin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

“Një demokraci funksionale, efektive, shumëpartiake parlamentare është thelbësore në Kosovë në mënyrë që t’u mundësojë ligjvënësve kosovarë t’i bëjnë këto reforma shumë të nevojshme. Është e rëndësishme që të ndiqen proceset demokratike, që parlamenti të takohet rregullisht, të funksionojë siç duhet dhe në mënyrë efektive, dhe të mbështes sundimin e ligjit”, thuhet më tej në njoftim.

Zyra e BE-së kërkon nga të zgjedhurit e popullit që të veprojnë me përgjegjësi.

“Ne presim që të gjithë përfaqësuesit e zgjedhur të veprojnë me përgjegjësi dhe të zbatojnë pa vonesa të panevojshme prioritetet që pasqyrojnë vullnetin e popullit”, precizon njoftimi.

Në lidhje me raundin e dytë të zgjedhjeve komunale, BE-ja thotë se po i ndjekë nga afër të gjitha zhvillimet dhe pret që të gjithë aktorët politikë të veprojnë me përgjegjësi, për hir të popullit të Kosovës./Insajderi.com