Zv/ministri i Drejtësisë: Serbia ka informata për të pagjeturit

Zv/ministri i Drejtësisë: Serbia ka informata për të pagjeturit

Zëvendësministri i Drejtësisë, Florian Dushi, takoi sot përfaqësuesit e Organizatës “Thirrjet e Nënave”.

Ai para të pranishmëve tha se Ministria e Drejtësisë ka rifilluar futjen e të dhënave në databazën për personat e zhdukur AMPM, e cila funksionon në kuadër te Zyrës së Kryeministrit, si dhe është punuar shumë në hartimin e Strategjisë për fushën e Mjekësisë Ligjore, ku çështja e të pagjeturve zë vendin kryesor.

Tutje, Dushi tha se Ministria e Drejtësisë e ka mbështetur Mjekësinë Ligjore duke i shpeshtuar takimet koordinuese edhe me Zyrën e Kryeministrit. Ai tha se është ndërmarrë edhe iniciativa për konservimin e rrobave dhe se duhet punuar edhe për çështjen e pensioneve për familjarët e personave të zhdukur.

Zëvendësministri Dushi tha se Serbia nuk është aspak bashkëpunuese sa i përket zbardhjes së fatit të të pagjeturve, njofton Ministria e Drejtësisë përmes një komunikate.

Më tutje, Dushi theksoi se “është e pamundur që Serbia të mos ketë informata lidhur me personat e pagjetur, sidomos kur dihet fakti se edhe sot në qeverinë e Serbisë janë eksponentët kryesorë të atij regjimi kriminal, i cili edhe kishte kryer këto krime dhe ishte angazhuar për fshehjen e gjurmëve të krimit”.

Shpreh mirënjohje dhe respekt për ju familjarët e personave të pagjetur, për qëndresën dhe durimin e juaj, si dhe për angazhimin e juaj personal që po bëni për zbardhjen e fatit të më të dashurve tuaj, tha në fund të takimit zëvendësministri Florian Dushi.

Ndërsa, Kryetarja e Organizatës “Thirrjet e Nënave”, Nesrete Kumnova, e falënderoi zëvendësministrin Dushi për angazhimin dhe mbështetjen e vazhdueshme për këto procese dhe për këto familje. /Insajderi.com