Zv/kryeministri Gashi mohon moskthimin e laptopëve, demantohet nga Ministria

Zv/kryeministri Gashi mohon moskthimin e laptopëve, demantohet nga Ministria

Zëvendëskryeministri i Kosovës Dardan Gashi nuk i kishte kthyer dy laptopë, pronë e Ministrisë së Mjedisit, për tri vjet. Gashi, i cili shërbeu i ministër i Mjedisit, nuk i ka kthyer pajisjet deri në kohën kur Prokuroria Themelore e Prishtinës nisi hetime për këtë rast.

Insajderi ka raportuar sot se Prokuroria Themelore e Prishtinës është duke e hetuar rastin e moskthimit të pajisjeve nga kabineti i ish-ministrit Gashi, tash ministër për Diasporë dhe Investime Strategjike.

Dardan Gashi, i kontaktuar nga Insajderi, ka mohuar historinë e moskthimit të pajisjeve pas përfundimit të mandatit të tij.

“Unë kam pas 1 laptop dhe e kam kthyer”, ka thënë Gashi. Ka shtuar se Ministria e Mjedisit e ka sqaruar këtë çështje, por nuk ka treguar se para cilës instancë e kanë bërë këtë zyrtarët e kësaj Ministrie.

“Ministria e ka sqaruar që ka qenë çështje e raportimit të brendshëm. Unë laptopin e kam dorëzuar”, ka thënë Gashi.

Megjithatë, Zyra për Media jep version tjetër me atë të Gashit. Në përgjigjet e dhëna për Insajderin, kjo Ministri demanton deklarimin e Gashit, si për numrin e laptopëve e po ashtu edhe për çështjen e moskthimit të tyre. Ministria mohon versionin se e ka sqaruar para ndokujt se rasti i laptopëve të Gashit ka qenë “çështje e raportimit të brendshëm”. Por e thotë krejtësisht të kundërtën.

Ministria e Mjedisit i ka konfirmuar Insajderit se Gashi i ka kthyer pajisjet tek më datën 20 shtator 2017, tri vjet e tre muaj pas përfundimit të mandatit të ministrit të Mjedisit. Sipas përgjigjes së kësaj Ministrie, Dardan Gashi ka qenë i ngarkuar me dy laptop.

Po ashtu, ish-këshilltarja e tij, Mrika Macula, ka qenë e ngarkuar me një laptop ndërsa me aparatin digjital ka qenë i ngarkuar ish-këshilltari i tij, Kreshnik Berisha.

“Datat e kthimit te pajisjeve nga Kabineti i Ministrit Dardan Gashi janë si me poshtë: Ish- Ministri, z.Dardan Gashi i ngarkuar me 2 Laptop ( i ka kthyer me 20.09.2017). Ish këshilltarja, znj. Mrika Macula e ngarkuar me 1 Laptop (e ka kthyer me 26.09.2017). Ish zëdhënësi, z. Kreshnik Berishaj i ngarkuar me 1 Aparat digjital (e ka kthyer me 17.12.2015 ndërsa unë Bajram Kadriu e kam pranuar me 27.12.2016)”, ka thënë për Insajderin Bajram Kadriu, zyrtar për informim në Ministrinë e Mjedisit. /Insajderi.com