Zvicra nuk mundet t’i dëbojë qindra të huaj që kanë shkelur ligjin

19.11.2017 17:26
Zvicra nuk mundet t’i dëbojë qindra të huaj që kanë shkelur ligjin

Është një numër i konsiderueshëm i të huajve që kanë shkelur ligjin, të cilët Zvicra nuk mund t`i dëbojë në vendet e tyre të prejardhjes. Fjala është për personat delikuentë që nuk kanë dokumente të vlefshme, të cilëve nuk mund t`u konstatohet përkatësia shtetërore ose që vijnë nga shtete të cilat nuk duan t`i pranojnë ata. Me këtë temë është marrë gazeta “NZZ am Sonntag” në numrin e sotëm.

Në fund të tetorit, në Zvicër numëroheshin gjithsej 337 të huaj që nuk mund të riatdhesoheshin për faktin se përkatësia e tyre shtetërore nuk ishte sqaruar ose nuk është arritur të dëshmohet, transmeton albinfo.ch. “Numri i të burgosurve të dënuar dhe që nuk kanë përkatësi të sqaruar shtetërore ka tendencë të rritjes”, thotë për gazetën një funksionar i burgjeve për kantonet e Zvicrës veriperëndimore dhe qendrore.

Kështu, aktualisht kuota e të huajve që nuk mund të dëbohen është ngjitur në 8.1 për qind, ndërkohë që në vitin 2012 ka qenë vetëm 4.9%, transmeton albinfo.ch. Ky problem lind te të ashtuquajturit “turistë kriminelë”, të cilët në Zvicër nuk kanë leje qëndrimi por vijnë këtu vetëm për të kryer delikte.

Por, edhe kur përkatësia shtetërore sqarohet plotësisht, ndodh që dëbimi ose riatdhesimi i kriminelëve të tillë të dështojë. Kjo ndodh pasi që ka shtete të cilat nuk pranojnë t`i marrin kriminelët “e tyre”, edhe pse Zvicra me këto shtete, si për shembull me Algjerinë, ka prej vitesh marrëveshje të pranimdorëzimit.

Statistika në këtë kontekst tregon se problemi është edhe më i madh. Janë më shumë se 700 shtetas të Algjerisë që jetojnë në Zvicër edhe pse nuk kanë leje qëndrimi këtu, përcjell albinfo.ch. Ngjashëm qëndron puna edhe me rreth 280 shtetas të Marokut, 290 të Etiopisë, 260 të Kinës dhe nga 150 të Irakut e të Tunizisë.