Zvicra akuzon Turqinë për tentimin e kidnapimit të një biznesmeni turkozviceran

Zvicra akuzon Turqinë për tentimin e kidnapimit të një biznesmeni turkozviceran

Nga parlamenti kanë konfirmuar vërtetësinë e një artikulli të botuar në gazetën “Tages Anzeiger”, në të cilin thuhet se agjentët e sigurimit turk, të cilët në Zvicër ishin nën petkun e diplomatëve, në verën e vitit 2016 kishin planifikuar rrëmbimin e një biznesmeni zviceranoturk

Një informacion për aktivitete të mundshme spiunazhi të Turqisë në Zvicër që po qarkullon në mediet e këtushme, është bërë temë debati edhe në Parlamentin e Zvicrës. Seriozitetin e gjendjes e ka konfirmuar edhe kryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme të Dhomës Nacionale të Parlamentit të Zvicrës, Elisabeth Schneider-Schneiter.

Ajo, në një deklaratë që ka dhënë për radion SRF ka konfirmuar vërtetësinë e një artikulli të botuar në gazetën “Tages Anzeiger”, në të cilin thuhet se agjentët e sigurimit turk, të cilët në Zvicër ishin nën petkun e diplomatëve, në verën e vitit 2016 kishin planifikuar rrëmbimin e një biznesmeni zviceranoturk.

Ndërmarrësi në fjalë konsiderohej nga autoritetet turke si një mbështetës i Gylenit, i cili nga politika e Erdoganit trajtohet si terrorist.

Nisur nga informacionet lidhur me aktivitetet e spiunazhit, Zvicra i ka drejtuar të premten një protestë zyrtare shtetit turk, transmeton albinfo.ch. Ministria e Punëve të Jashtme e Turqisë në një reagim të saj ka theksuar se bëhet fjalë për akuza të pabaza.

Pikërisht në këtë kontekst konflikti mes Zvicrës dhe Turqisë, ministri i jashtëm i Zvicrës, Ignazio Cassis ka paralajmëruar vizitën e tij në Turqi. Ende nuk është caktuar ndonjë datë konkrete por ka kohë që po diskutohet për mundësinë e një vizite, thonë në ministri. Një zëdhënëse e kësaj ministrie ka thënë se planet për vizitën e përmendur nuk kanë të bëjnë me akuzat aktuale të spiunazhit.