Zv.Ministri i Punëve të Brendshme i kërkon prokurorisë hetime për targat

27.09.2016 18:04
Zv.Ministri i Punëve të Brendshme i kërkon prokurorisë hetime për targat

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa ka reaguar mbi problemin e targave të automjeteve në Kosovë, duke bërë thirrje tek Prokuroria e Shtetit që të hetoj ‘tenderin e targave’.

Mustafa ka thënë se shpallja e tenderit është bërë 13 muaj më herët,  por ende qytetarëve nuk u janë dhënë targat, dhe sipas tij, ankesat janë me të drejtë.

“Nga shpallja e tenderit për herë të parë ( 17.08.2015) kanë kaluar plot 13 muaj . Odiseada e targave vazhdon megjithëse qytetarët kanë shprehur me shumë të drejtë pakënaqësinë e tyre”, thotë zëvendësministri i Punëve të Brendshme.

Ai ka kërkuar nga prokuroria që të nis hetime për këtë çështje, raporton Gazeta Online Insajderi.

“Prokuroria duhet të filloj hetimet, sepse nuk ka asnjë mundësi që të kenë të drejtë të dy palët. Nëse zyrtarët e MPB-së kanë vendosur gabimisht, atëhere le të jenë ata që të japin përgjegjësi. Nëse ndodh e kundërta , pra që zyrtarët e MPB-së kanë vendosur drejtë dhe se vendimet e tyre padrejtësisht janë anuluar nga OSHP , atëhere këta të dytët duhet të japin përgjegjësi”, ka thënë Mustafa.

Kaluan gati një vit e qytetarët e Republikës së Kosovës vazhdojnë të mos pajisen me target e automjeteve. Pra, qytetarëve padrejtësisht po ju mohet një e drejtë elementare siç është kjo e pajisjes me targa dhe deri më sot nuk ka asnjë dhënie të përgjegjësisë nga asnjë zyrtar institucional (nga radhët e MPB ose OSHP)”, shkroi Mustafa në llogarinë e tij në facebook. /Insajderi.com