Zv/kryeministri i Kosovës, nga Beogradi: Pas vrasjes së Ivanoviqit, serbët nuk ndihen rehat në Kosovë

Zv/kryeministri i Kosovës, nga Beogradi: Pas vrasjes së Ivanoviqit, serbët nuk ndihen rehat në Kosovë

Zëvendëskryeministri i Kosovës dhe ministri për Kthim dhe Komunitete, Dalibor Jevtiq ka thënë sot se serbët në Kosovë nuk ndihen rehat, pas vrasjes së Oliver Ivanoviq në Mitrovicë të Veriut.

I ftuar në Radio Telvizionin e Serbisë (RTS) së bashku me zyrtarin e Qeverisë së Serbisë Marko Gjuriq, zv/kryeministri i Kosovës deklaroi se vrasja e Ivanoviq do të ndikojë tek populli serb në Kosovë.

“Dua të rikujtoj se që nga fillimi i këtij viti ka pasur sulme ndaj serbëve të rikthyer, dhe kjo [vrasja e Ivanoviq] që ndodhi sot ka shkaktuar rritjen e tensionit tek serbët. Në komunat me shumicë serbe situata është e qetë, por pas ditës së sotme ne të gjithë ndihemi jo rehatshëm”, deklaroi Jevtiq, raporton RTS.

Ai tha se serbët në Kosovë duhet të jenë të bashkuar, shkruan Insajderi.

“Në këtë pikë, ne duam unitet, sepse është e vetmja mënyrë se si mund ta kalojmë këtë. Sigurisht, vizita e presidentit Vuçiq do të kontribuojë në këtë”, deklaroi zëvendëskryeministri i Kosovës. /Insajderi.com